Pas gjobave për ‘Fake News’, portaleve u vendoset TVSH 20%

Pas nismës ligjore me krijimin e një pakete Anti-Shpifje, ku një portal, për një lajm dënohet me 10 milionë lekë, duket se qeveria po ndërmerr një tjetër vendim përsa i përket portave.

Sipas CNA, mësohet se në ndryshimet ligjore të paketës fiskale, qeveria ka vendosur TVSH 20% për reklamat e portaleve, ndërsa televizionet (media audio vizive) vetëm 6%.

“Në datën 28/12/2018 është botuar fletorja zyrtare Nr. 187, ku ndër të tjera është publikuar ligji Nr 96/2018 ” Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Konkretisht, preket Neni 53, Përjashtime për disa veprimtari të tjera, pika J.  furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave për gazetat, furnizimi i gazetave, i revistave dhe i librave të çdo lloji, si dhe furnizimi i shërbimit të reklamave nga media e shkruar dhe nga media elektronike; Në ligjin 96/2018 ne Nenin 3 Thuhet: Në nenin 53, “Përjashtime për disa veprimtari të tjera”, në shkronjën “j” fjalët “dhe i librave”, “dhe nga media elektronike” hiqen. Kjo do të thotë se mediat elektronike kalojnë automatikisht në fashën 20 % TVSH, ajo që është standarde”, thanë zyrtarë të Ministrisë së Financave për CNA.al.

Gjithashtu është bërë një ndryshim për Median Audio-Vizive, ku në po të njëjtin ligj 96/2018 në Nenin 1, Në nenin 49, “Shkallët e reduktuara”, pas pikës 5 shtohen pikat 6, 7 dhe 8 me këtë përmbajtje: “6. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, është 6 për qind.

Edhe gjatë fushatës së trajnimeve për informim që realizon DPT në zyrat e Shërbimit të Tatimpaguesit, konkretisht ajo që u mbajt me datë: 15/01/2019,  me rastin e ndryshimeve të shumta ligjore dhe kohës së shkurtër, kur ato u futën në fuqi, nga ana e lektorëve në diskutimet që janë bërë është pranuar se tashmë Media Elektronike është në fashën standarde të TVSH-së 20% dhe ajo Audio-Vizive 6%.

TVSH 20 % vjen menjëherë pas iniciativave të tij ligjore për gjobat dhe mbylljen e portaleve, si dhe vendosjen e një këshilli censure pranë Autoritetit të Mediave Audio Vizive.

Kryeministri Edi Rama e artikuloi për herë të parë krijimin e një pakete Anti-Shpifje më 2 tetorkur në qendër të debatit politik ishte rasti i Xhisiela Malokut. Rama tha se kjo paketë ishte zgjidhja e vetme për ti dhënë fund karagjozllëqeve politike dhe mediatike.

“Paketa anti-shpifje përfshin gjoba për lajmet e rreme dhe shpifjet. Më shumë se 600 portale online janë të paligjshme nga ana tjetër. Vendosja e një loje rregullash të qartë do të jetë në funksion të situatës dhe në përmirësimin e vetë botës së mediave online, sigurisht pa cenuar lirinë themelore të fjalës së lirë dhe të informimit të publikut”, deklaronte Rama pak kohë më parë, gjatë prezantimit të kësaj pakete.

dokumentet-ligji-per-mediat-online-1 dokumentet-ligji-per-mediat-online-2 dokumentet-ligji-per-mediat-online-3
<
>