fbpx

Rama mbështet shembjen e konvikteve: Zaptimit 30-vjeçar i ka ardhur fundi

Kryeministri Rama ka mbështetur shembjen e 3 konvikteve në Qytetin Studenti ku strehohen familjarë. I pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Rama tha se “zaptimit 30-vjeçar i ka ardhur fundi”.

Kryeministri i bëri gjithashtu thirrje Bashkisë që lejet e rindërtimit ti japë brenda 24 orëve ndërkohë që theksoi se godinat e reja nuk kanë pasur dëmtime strukturore.

Lejet e riparimeve duhet të kenë një procedurë të përshpejtuar. Bashkia duhet ta japë lejen e rindërtimit brenda 24 orëve. Nga ato që shohim është se godinat e reja nuk kanë problem strukturore. Godinat i kanë mbajtur më së miri goditjet. Kemi filluar punën për të konceptuar 3 lagje të reja në Tiranë. Janë projekte që do kërkojnë kohën e tyre,por do kenë tjetër standard. Me fondin që kemi vënë në dispozicion jemi gati të fillojmë. Jemi duke identifikuar modelet më të mira financiare. Ka nisur puna për një ligj të veçantë në lidhje me perimetrin e emergjencës. E konsideroj me vend vendimin për prishjen e 3 konvikteve në Qytet Studenti. Pas një zaptimi 30-vjeçar ka ardhur koha të largohen edhe ato familje, me gjithë mburojat e tyre politike”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Konviktet në Qytetin Studenti ku banojnë familje janë shpallur të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit. Megjithatë banorët janë shprehur të shqetësuar pasi ata nuk janë njohur me dokumentacionin e akt-ekspertimit të banesave.

Rama tha sot gjithashtu se ata do të zhvendosen në apartamente ku do ti garantohet qeraja për një vit megjithatë ky proces duhet të ishte bërë para nxjerrjes së qytetarëve nga banesat pasi ata rrezikojnë të mbesin të pastrehë për një periudhë deri sa të akomodohen në apartamentet e reja.