Rama: Meta duhet të largohet

Partia Socialiste pavarësisht vendimit të presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit vijon fushatën e saj elektorale e bindur se zgjedhjet do të zhvillohen.
Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka qenë në Divjakë ku është shprehur se Ilir Meta ka kryer një akt të papërgjegjshëm të panjohur në historinë e qeverisjes së botës, firmos dhe çfirmos.
Sipas shefit të qeverisë nëse bota të hynte në logjikën e Metës që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej nuk do të kishte më shtet ,rregull dhe drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe.

Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverisjes së botës, firmos dhe çfirmos, sikur bota të hynte në logjikën e Metës që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej nuk do të kishte më shtet dhe rregull, dhe drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, papërgjegjshmërie dhe që nuk mund as të pranohet dhe as të tolerohet. Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit për sa kohë fuqia e popullit sovran është te parlamenti dhe që parlamenti ka jo vetëm të drejtën, por detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet. Do të kishim dëshiruar që këtë fushatë ta kishim garë me kundërshtarët tanë për të parë idetë dhe kandidatët më të mirë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu, pasi kanë kapitulluar para se të fillojë ndeshja. Nuk përballen dot me ne në zgjedhje, kanë frikë nga gjykimi i njerëzve dhe të maten me ne duke bërë atë që politika duhet të bëjë dhe jo duke sharë dhe shpifur dhe kërcënuar. Frika nga zgjedhjet dhe tmerri nga reforma në drejtësi dhe paniku ka bërë që të kthehen në një front kundër çeljes së negociatave. Nesër do të flasim më shumë, por akti i fundit i Metës e ka zbardhur plotësisht planin dhe na ka dhënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri. Sigurisht që ne kemi bërë shumë por në asnjë mënyrë sa do të donim”-deklaroi kryeministri Rama. /real-news.tv/