Rama ngre tonet ndaj Serbisë: Me tre fytyra! BE?! Zhgënjyese

rama-haradinaj.jpg

Një qëndrim të ashpër ndaj Serbisë mbajti kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare të mbajtur këtë të hënë në Pejë. Kreu i qeverisë shqiptare shprehu mbështetje të plotë ndaj Kosovës për vendimin e marrë me taksën doganore 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnje-Hercegovinës.

Madje u kujdes të theksojë se ky nuk është aspak një vendim ekonomik, por një reagim mëse politik për sjelljen bllokuese që Serbia ka shfaqur ndaj Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Ndërkohë gjuha e tij është ashpërsuar, kur shefi i mazhorancës shqiptare, kujtoi një episod që ministri i Jashtëm i Kosovës, i tregoi, se si serbët u munduan që në Bruksel të hiqej nga deklaratat e serbëve termi ‘Republika e Kosovës’.

“Ministri më tregonte mbrëmë sesi në Beograd deri në 2 të natës me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqnin fjalën Republika e Kosovës në një fjalim. ‘What the fuck‘, do thuhej në gjuhën e parlamentit europian. Këto vështirësi janë të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar në një mision të përbashkët”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kosova për  Shqipërinë, nuk ka dyshim që është një shtet sovran dhe i pavarur tha Rama. Dhe në këtë kontekst, Rama nuk la pa shprehur zhgënjimin e tij nga Bashkimi Evropian. “E drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë-shtete dhe nuk njeh gjysmë-njerëz”, tha ai  duke theksuar arsyen se pse ka zhgënjim nga qasja e BE-së.

Ai i ka kërkuar Serbisë të zbresë me këmbë në tokë, ndërkohe që ndërkombëtareve u ka thënë “të mos na tregojnë shumë përralla”.

“Jemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së dhe të gjitha atyre shteteve që duhet të njohin Kosovën dhe lëvizjen e lirë të saj. Themelimi i FSK-së ishte hapi i duhur për plotësimin detyrat e një shteti, që s’mund të konsiderohet nga askush si një gjysmë shtet. Shfaqjet e fundit si ato të INTERPOLIT, tregojnë skema frikash dhe makthesh për tu viktimizuar në sytë të botës, ndërkohë që viktima, Kosova ka shprehur vullnetin për ta kapërcyer këtë me anë të një dialogu të sinqertë dhe të drejtpërdrejte”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri foli edhe për bashkimin doganor që do të bëhet në Portin e Durrësit, në shërbim të bizneseve të Kosovës, dhe tha se ky fakt duhet të shërbejë si shembull edhe për rrugën që Serbia duhet të ndjekë në kuadër të bashkëpunimit me Kosovën. “kush e konsideron këtë si kërcënim, është i mirëpritur të vijë dhe ta sqarojmë që nuk është kërcënim, por ftesë për të gjithë të tjerët që të marrin shembull, dhe Serbia të ndjekë këtë shembull bashkëpunimi”, tha kreu i qeverisë. Por më tej, ai foli me tone të ashpra ndaj Serbisë kur e quajti me tre fytyra.

“Një fytyrë me Kosovën, një fytyrë me Shqipërinë dhe një me Evropën. Dhe serbia vijon të hapë kapituj, dhe po ja del të përdorë tre fytyra. Ne kemi një fytyrë, dhe fytyra jonë është kuqezi, dhe me këtë i qëndrojmë ballë të gjitha sfidave kuqezi”, – përfundoi Rama. /Real News

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303