Rama: Sot kemi një problem, por nuk e kam humbur besimin tek Meta

rama-meta.jpg

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga salla e Kuvendit se qeveria për herë të parë nga momenti kur mazhoranca e votoi, tashmë ka një problem me Presidentin e Republikës dhe lidhet pikërisht me dekretin për emërimin e ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshit.

“Shumë nga ne në sallë kemi votuar për Ilir Metën si President. Atë ditë nuk e kishim shumicën absolute që kemi sot, por unë e kisha bindjen e plotë se Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat kur duhet ta zgjidhnim Presidentin e shtatë të Republikës. Që kur hyri në Presidencë pas dalldisjes fatkeqe me flamurin e LSI-së e ka justifikuar plotësisht votën tonë: ka respektuar Kushtetutën dhe ka peshuar fjalën. Por, qysh prej të shtunës mbrëma kemi një problem me Presidentin të krijuar nga Presidenti”, tha Rama.

“Nuk e ka të drejtën askush që të na pengojë në ushtrimin e mandatit tonë kushtetues”, shtoi kreu i qeverisë.

Rama theksoi se është detyrë e Presidentit të votojë dekretin pa bërë asnjë interpretim.

“I kam çuar dekretin për një ministër të cilin sipas kushtetutës presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë por ka detyrën ta miratojë

Përvec 12 kompetencave që kushtetuta ja njeh shprehimisht ka edhe detyra, sic kanë të gjithë subjektet e kushtetutës. ndër to është edhe detyra për të dekretuar qeverinë dhe çdo anëtarë të saj sipas kërkesës së kryeministrit, brenda 7 ditësh me një dispozitë taksative.

Unë sinqerisht nuk e kuptoj pse presidenti e ndjen të nevojshme të përsërisë madje me deklaratë zyrtare se ai nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të sfiduar autoritetin e tij, se unë nuk e kam parë asgjëkundi këtë. As në mëndje s’do ta çoja dot një akt kaq të padobishëm për njerëzit, për qeverinë, për mua vetë. Këto ja kam thënë presidentit”, tha Rama.

Megjithatë, shefi i mazhorancës tha se nuk e ka humbur besimin tek Presidenti.

“Unë nuk e kam humbur besimin tek presidenti, nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit, edhe pse afati ka skaduar”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, kriza nuk është politike, por kushtetuese.

“Kriza është kushtetuese, dhe ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të popullit sovran dhe do të bëjmë çmos për ta ngjitur “, tha Rama duke shtuar se duhet durim për të gjetur një zgjidhje.

Rama tha se mazhoranca do të votojë në Kuvend dekretin për shkarkimin e ministrit Fatmir Xhafaj, dhe do të vendosë në qeveri ministrin e ri Sandër Lleshin duke i dhënë kohën Presidentit Meta të krijojë bindjen e plotë për ta dekretuar atë.

“Më pas do të vendosim në qeveri ministrin e brendshëm të refuzuar nga presidenti për dekretim, në drejtimin e ministrisë së Brendshme si zv/ministër, dhe do ti japim ca ditë kohë jo vetëm presidentit që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë, por edhe vetes”, përfundoi kreu i qeverisë.

scroll to top