‘Ramës i digjte regjimi i Berishës, Basha dhe Meta tregojnë…’

3-2.jpg

Andi Bushati në një shkrim të tij të postuar në Facebook, ka analizuar intervistën e Presidentit Ilir Meta dhënë për median greke Kathemerini. Ai shprehet se ‘dukja në sytë e botës’ ngjan më e përdhosur se kurrë, ndërsa shton se Edi Ramës i digjte regjimi i Sali Berishës, ndërsa Basha dhe Meta tregojnë me gisht narkoshtetin që organizon zgjedhje moniste.

Nga Andi Bushati

Një intervistë e kreut të shtetit me gazetarin grek Stavros Tzimas, të së përditshmes Kathemerini, ka bërë bujë në shtypin vendas, më shumë sesa nga përgjigjet e Metës, për pyetjet habitore të intervistuesit.

Sidomos të artikuluara nga goja e një fqinji tonë jugor, dilemat për një vend ku presidenti është ngërthyer në luftë vëllavrësëse me kryeministrin, ku opozita bërtet për shndërrimin në Kolumbi të Ballkanit, ku rivalët politikë thonë fjalën e fundit dhe nuk merren vesh për asgjë, kanë efektin e një thike që lodron mbi plagë për shqiptarët

Po ti shtosh këtyre edhe faktin se Tirana zyrtare u paraqit, këtë fillim jave, e përcarë në Samitin e Vendeve të Europës Juglindore që po mbahet në Bosnjë-Hercegovinë, të cilin qeveria e bojkotoi dhe presidenca jo, pasqyra bëhet edhe më e trishtë.

Ajo për të cilën ne shqiptarët kemi një shprehje të veçantë : « dukja në sytë e botës » ngjan më e përdhosur se kurrë.

Ashtu sikurse gazetari grek, ç’do kush mund të pyesë: Si nuk arrijnë së paku të ruajnë një raport kurtuazie kryeministri dhe presidenti? Si mundet të mos hezitojë opozita ti ngjisë vendit damkën e një narko shteti ? Pse askush nuk merakoset për vitrinën që i tregojmë globit, madje shkojmë aq larg, sa kur njëra palë vendos të mos njohë Jeruzalemin, tjetra i shkruan Trumpit se këtu e kanë tradhëtuar; kur dikush do të ndajë kufirin detar me Greqinë, rivali bërtet për një komplot të madh të paguar më paratë e Athinës.

Pra thënë shkurt, në këtë vend, as nuk dimë të ruajmë unitetin shtetëror përballë të tretëve, as nuk dimë të ndërtojmë imazhin tonë.

Dhe me kronologjinë e më sipërme, Edi Rama duket sikur ka të drejtë kur propozon paktin kombëtar, të kopjuar nga Konica, për të mos e sharë mëmëdheun në gjuhë të huaj, për të mos shfaqur dasitë tona pertej kufijve, me qëllim që të ruajmë me fanatizëm atë pjesë të vitrinës që na ka mbetur pa krisur akoma.

Natyrisht, këtu nuk është vendi të qëmtojnë faktin se kush është shkaktar i kësaj gjendjeje, se kush i ka shpallur luftë së vërtetës, herë duke u përleshur me « frontin e së keqes », herë me një « president të luajtur mendsh », herë me gazetarët « kazan » apo dhe më tej, me Zërin e Amerikës apo Blid-in.

Të gjithë e dimë se jo vetëm Rama, por të tërë udhëheqësit autoritarë shqiptarë, preken shpejt ose vonë, nga virusi i njësimit të imazhit të tyre përkrah atij të kombit, se ata bëhen për rrjedhojë mburojë e këtij të dytit, duke qenë të dashuruar me të parin.

Deri këtu nuk ka asgjë të re dhe prandaj debati real nuk është ftesa e kryeministrit të radhës për ti’a punuar të huajve, duke u hequr ndryshe nga ç’jemi, por dilema e përhershme me të cilën ndeshemi sa herë që lexojmë intervista si ato të Stavros Tzimas: A fitojmë më shumë duke u hedhur hi syve atyre, apo duke qenë të vërtetë me vetveten ?

Çfarëdolloj analize edhe logjike edhe historike të bën të refuzosh lehtësinë e versionit të parë, për të zgjedhur mundimin e rrugës së dytë.

Ne mund të mashtronim këdo prej investitorëve të huaj me eldoradon e vendit pa sindikata, ku krahu i punës shfrytëzohet xhaba, por pasi ai të mbërrinte këtu, nuk do ia hiqnim dot kurrë zhgënjimin për paratë që do i kërkonin nën dorë, garat pa tendera dhe një ekonomi ku ka vdekur konkurrenca. Vitrina e gënjeshtër do të ishte afatshkurtër për të dhe do të kishte efekt boomerang për të gjithë të si ngjashmit e tij, që nuk mund të shumohen nëse vetë ne nuk këmbëngulim për një treg me rregulla loje.

E njëjta fabul do të ishte e vlefshme edhe për çdo turist që do ti tregonim kartolinat magjepsëse të rivierës, pa i folur më pas për shërbyesit arrogantë të restoranteve buzë detit të saj.

Pra eksperimenti me të hedhur nuk të nxjerr në dritë. Aq më tepër që atë e kemi provuar në të shkuarën tonë jo dhe aq të largët.

Monarku i vetëshpallur, u përpoq jo pak të vizatonte një tablo moderne dhe idilike të vendit ku kishte një bulevard pa kryeqytet, ku princeshat visheshin allafrënga ndërkohë që shumica dërrmuese e grave ndryheshin të mbuluara në shtëpi, ku ndërtoheshim godina brenda të cilave kishte ministra për arsim që nuk dinin këndim.  Të gjithë e dimë se si u përmbys ajo kështjellë rëre sapo u shkrep krisma e pushkës së parë.

Të njëjtën fat pati edhe kështjella pasardhëse, fanri ndriçues i Europës, që propogandoi për 40 vjet njeriun e ri, të cilit me ti’u dhënë rasti rrëmbeu anijet për tu arratisur nga sytë këmbët.

Këto dështime epokale duhet të na kishin dhënë së paku një mësim: se nuk ka komb që mund të ngrihet mbi gënjeshtrën, se nuk mund tu shesim kartolina të tjerëve, pa ndërtuar themele të forta për veten tonë.

Prandaj sa herë që lexojmë intervista si ajo e gazetarit grek me Ilir Metën, duhet ta flakim tej tundimin që na ngre kokë në mënyrë automatike : ah sikur mos ia kishim treguar botës këto.

Më e drejtë, më e ndershme dhe më e mençur do të qe tjetër gjë: do të qe përpjekja për të bërë aleatë anembanë, për ta bërë vendin tonë më të mirë. Dhe kjo nuk mund të arrihet duke heshtur ata që refuzojnë të gënjejnë, qoftë ky Rama që i digjte dje regjimit të Berishës, Europën për qarkun e Fierit, qoftë Basha apo Meta sot, që tregojnë me gisht narkoshtetin që organizon zgjedhje moniste.

Sepse, sado keq që të na vijë, historikisht e drejta ka qenë me ata që në kohën e tyre i kanë damkosur si «sharës së Shqipërisë”. Kushtrimi i këtyre të anatemuarve duhet dëgjuar përherë e më shumë, pavarësisht se rrudhim buzët, kur të njëjtat gjëra na i përsërit edhe ndonjë nga fqinjët tanë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303