fbpx

Reagon ashpër Shqipëria, dënon qëndrimin e Athinës

screenshot-31_1540752125-7721257.jpg

Tirana zyrtare ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Greqisë në lidhje me ngjarjen e sotme në Gjirokastër.

Përmes një statusi në rrjetin social “Twitter, kryeministri Rama thekson se në vend që ta quajë të papranueshme humbjen e jetës së një të “Fandaksuri”, i cili qëlloi me armë ndaj policisë, Greqia duhet t’i bashkohet Shqipërisë për t’u lutur dhe falënderuar zotin për jetët që shpëtuan sot nga shkëmbimi i zjarrit.

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, shkruan Rama.

Ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagimin e Athinës zyrtare për ngjarjen e ka përcaktuar si zhgënjyese.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare.

Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *