“Reforma në Drejtësi” pëson sërisht ndryshime, Xhafaj me kritika

Fatmir-Xhafaj-Parlament-12-shkurt-2020-1100x620-770x433.jpg

Ligjit special i quajtur nga kryeministri Rama, “antiKÇK” u prezantua si fillim nga ai si një iniciativë e cila do të godiste prokurorët dhe gjyqtarët të cilët pasi e dinin se nuk mund të kalonin dot vettingun, punonin me parimin “Kap ça të kapësh”.

Megjithatë, qeveria miratoi para dy javësh aktin normativ “antiKÇK”, por në të nuk kishte asnjë referencë që i drejtohej gjyqtarëve ose prokurorëve. Subjektet e këtij ligji janë personat ndaj të cilëve ka një dënim nga gjykata ose kanë qenë nën hetim për vepra të rënda të Kodit Penal, ndërsa objekt i ligjit është pasuria e këtyre subjekteve.

Sot mazhoranca iu rikthye çështjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Kuvendi ka miratuar ndryshimin në projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili është pjesë e Reformës në Drejtësi. Kështu çështja e grupit “KÇK” nuk do të jetë më objekt i punës së  ligjit special të paralajmëruar dhe miratuar nga kryeministri Rama por ndaj tyre do të merren masa të reja në bazë të ndryshimeve të bëra ditën e sotme në ligjin e Reformës në Drejtësi.

Konkretisht, ndryshimet e sotme kompetencat e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë që ende nuk është ngritur, i kalojnë KLGJ-së dhe KLP-së për 6 muaj për marrjen e masave ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve brenda tre ditëve. Këto dy institucione do të shqyrtojnë ankesat e çdo qytetari dhe nëse rezulton se ka shkelje ata mund të pezullojnë magjistratët brenda tre ditëve. Kështu nëse më parë pezullimi i prokurorit dhe gjyqtarit kërkonte deri në një vit kohë, pra deri kur të përfundonte hetimi disiplinor, tashmë pezullimi mund të behet për tre ditë.

Megjithëse, këto ndryshime u miratuan me 87 vota pro, brenda mazhorancës pati figura të cilat ishin kritike dhe patën rezerva për ndryshimet. Më kryesori ishte ish-ministri i Brendshëm, Xhafaj i cili është dhe një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi.

Ai tha se problematikat që shfaqen nga zbatimi i ligjit nuk duhen zgjidhur duke ndryshuar ligjin.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi druaj që shpeshherë, problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i kapërcejmë me zgjidhjen më të lehtë, amendimin e ligjit. E shoh shumë pozitive faktin që na u tha në komision se së bashku me misionet partnere është bërë një analizë e thelluar për të kuptuar çfarë është pjesë e gabimeve tona dhe çfarë është pjesë e nevojave që ka për t’u mbështetur me ndryshime në ligjet përkatëse”, tha Xhafaj.

Duke vlerësuar rolin e KLGJ dhe KLP deri tani në proces, Xhafaj shtoi se ka rezerva në punën e këtyre institucioneve pasi sipas tij ato ende nuk kanë gjetur “rolin dhe përgjegjësinë e tyre”, dhe se në disa aspekte janë “jo efiçente”, dhe se disa nga komponentët e tyre “nuk kanë një kuptim të drejtë mbi rolin e tyre në këto struktura, frymën e re që do duhej të përçonin”.

scroll to top