Renato Mekolli djalli, që bëhet engjëll, shefi i famshëm gatuan për të prekurit nga tërmeti

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në vend, shumë emisione televizive janë anuluar, duke u lënë hapësirë edicioneve informative informuese. Mbi të gjitha, emisionet argëtuese nuk trasmetohen duke respektuar dhembjen e familjarëve që humbën të afërmit e tyre pas tërmetit.  

Ditën e djeshme, edhe Renato Mekolli ka lajmëruar se “Hell’s Kitchen” nuk do të transmetohet si çdo të premte dhe se ai bashkë me konkurrentët do të gatuajnë për familjet në nevojë. Ai ka treguar se spektakli i gatimit do të shkëputet nga studiot e “Top Channel” për t’iu afruar realitetit. 

“Konkurentët së bashku me mua, jemi bërë bashkë për një qëllim shumë më të madh: po gatuajmë që t’u dërgojmë ushqime të ngrohta e shumë dashuri familjeve të dëmtuara nga tërmeti. ‘Hell’s Kitchen’ do të zhvendoset sot nga studio ‘Nova’ e ‘Top Channel’ në realitetin e vërtetë, aty ku njerëzit sot kanë shumë nevojë jo vetëm për ushqim, por edhe për shumë mbështetje morale e shumë dashuri. Do të jemi aty sot dhe sa herë është e nevojshme ‘Kush ka mundësi vepron’ dhe sot më shumë se kurrë duhet të veprojmë!”, ka shkruar Renato në “Instagram”. 

Ky gjest është pëlqyer shumë nga ndjekësit e Renatos, të cilët e kanë përgëzuar shefin e kuzhinës për vendimin që ka marrë, duke e cilësuar si “djallin” e frikshëm që thyen gjithçka në kuzhinë për shkak të show-t televiziv, që në këtë situatë të vështirë po shndërrohet në një engjëll që gatuan plot dashuri për të prekurit nga tërmeti.