Restaurimet e gabuara po shkatërrojnë monumentet e kulturës, specialistët denoncojnë skandalet nga viti 2013-2018

restaurimi_monumetet_kisha_faqe_19-1.jpg

Punimet restauruese dhe ndërhyrjet e gabuara në monumentet e kulturës për specialistët e trashëgimisë kulturore janë përgjegjësi e  Ministrisë së Kulturës. Nga veriu në jug të vendit ndërhyrjet e gabuara në monumentet e kulturës në 5 vite ministre Mirela Kumbaro kanë vijuar. Rasti më i fundit sipas specialistëve të trashëgimisë është Kisha e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë, ku punimet janë jashtë kritereve. Përplasja mes Ministrisë së Kulturës dhe specialistëve të trashëgimisë vijon dhe me objekte të tjera të trashëgimisë kulturore në jug të vendit si Kisha e Labovës së Kryqit, Kisha e Shën Kollit në Mesopotam. Problemet kanë vijuar dhe me punimet në zonën historike të Gjirokastrës. Restaurimi i varrit monumental të artistit Kolë Idromenos që ndodhet në varrezat katolike të Rrmajit, gjithashtu u kthye në objekt debati mes Ministrisë së Kulturës dhe specialistëve të trashëgimisë. Këta të fundit pohuan punime jashtë kritereve, duke akuzuar për dëmtimin e monumentit të kulturës. Hamami i Krujës është po ashtu në listën e punimeve pa kriter. Arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo pohonte se hamami i Krujës është restauruar, duke mos respektuar kriteret shkencore dhe ka sjellë në këtë mënyrë një tjetërsim të tij. “Kush guxon në emër të shkencës të bëjë tjetërsim të monumentit? Në cilin vend të botës bëhet tjetërsim i monumentit? Në Shqipëri është bërë, sepse mungojnë specialistët”, tha studiuesi Zeqo. Problemet vijuan edhe në Shtëpinë e Flamurit në Korçë. “Nuk mundet një objekt që i bie të jetë nga fillimi i shekullit të njëzet ose që është nga fundi shekullit të 19 ta kesh vetëm beton”, pohoi studiuesi Zeqo për Shtëpinë e Flamurit. Akuzuat në drejtim të Ministrinë e Kulturë dhe IMK vijuan dhe për punimet në qendrën historike të Gjirokastrës. Kohë më parë specialistët u shprehet se në mesin e ditës po eliminohet piktura murale në atë që njihet si Blloku 7 në Gjirokastër, por duket se Instituti i Monumenteve të Kulturës nuk e ka parë problem. Listës së objekteve me problem i shtohen dhe 12 kishat post bizantine në Voskopojë e Vithkuq të Korçës, që janë renditur nga “Europa Nostra” mes 7 siteve të trashëgimisë kulturore më rrezikuara për vitin 2018.

Kumbaro, mbyll dyert për specialistët

Specialistët kundërshtojnë teknikat që po përdoren në punimet restauruese që po bëhen në Kishën e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë. Arkitekti dhe restauratori dr. Reshat Gega thotë se po dëmtohen vlerat e këtij objekti. Ai shprehet se nuk është rasti i patë që aplikohet kjo lloj metode me monumentet e kulturës prish dhe bëj. “Kisha në Hoshtevë më erdhi si njoftim dhe unë pasi pashë çfarë kishte ndodhur është me të vërtetë për të vënë duart në kokë. Por ministria nuk ndalet nga kjo aventurë dhe as nuk reflekton për kritika apo vërejtje që ne i bëjmë. Ne kemi reaguar dhe për kishën e Labovës, që në kohën kur u bë projekti ai ishte i gabuar dhe parashikonte ndërhyrje që ishin negative, por nuk u ndalën dhe e zbatuan atë projekt. Jo vetëm kaq, por tejkaluan dëmin që bënë dhe atje ndodhi një katastrofë. E njëjta histori është dhe me manastirin e Shën Kollit në Mesopotam”, pohon restauratori Gega. Sipas tij ministrja Kumbaro nuk dëgjon specialistët dhe i ka mbyllur derën edhe për diskutimet për problemet me monumentet. “Ministria e Kulturës nuk do t’ia dijë, bën projekte mbi projekte. Ministria kërkoi të devijonte projekti në Mesopotam dhe aty ka filluar punë një tjetër firmë. Ministria vijon dhe bën manovra të shumta në dëm të monumenteve të kulturës. Ministres Kumbaro ne i kemi letra dhe email për problemet, i kemi pohuar të ulemi në diskutim, por na është mbyllur dera. Në ministri është krijuar një klan dhe gjithë financimet, punët dhe menaxhimi i trashëgimisë bëhet brenda këtij monopoli”, shprehet arkitekti dhe restauratori dr. Reshat Gega.

Specialistët: Gjendja nuk ka qenë asnjëherë kaq keq

Ish drejtori i IMK akademiku Apollon Baçe shprehet se sot gjendja e monumenteve nuk ka qenë asnjëherë kaq keq. “Ajo që është shqetësuese është fakti që monumentet janë në gjendjen më të keqe që kanë qenë ndonjëherë. Të paktën të seleksionohen ata që janë më përfaqësues dhe të fillojë të investohet. Pikë e parë duhet bërë një fushatë dhe investuar nga ministria e Kulturës”, pohon akademiku Baçe. Në reagimin e tij akademiku Apollon Baçe akuzon ministren e Kulturës për keqmenaxhim në trashëgiminë. “Unë se di se si i shpenzon paratë zonja ministre e Kulturës. I kam thënë ministres Kumbaro, që unë nuk pranoj të punoj me ty. Pata lexuar dikur një përkthim të saj të një romani në frëngjisht dhe mu duk përkthimi i kualitetit google translate, i cili presidentin Bush e përkthen presidenti Kaçube. Ministrja është jashtë lojës me trashëgiminë. Ura që ra në Hoshtevë është komplet përgjegjësi e Kumbaros. Veliera në Durrës ka shkelje flagrante të ligjit”, pohon akademiku Baçe. Arkeologu dhe studiuesi Neritan Ceka shprehet se nuk ka më specialistë në ndërhyrjet restauruese që bën ministria dhe IMK. “Ndërhyrje të gabuara kemi te rasti i Velierës, ku KKR duhet të ndalonte çdo veprim. Kemi dhe ndërtimin në Butrit ku Ministria e Kulturës jep leje për të ndërtuar një kafe në murin rrethues, që është e pakonceptueshme në një sit të mbrojtur nga UNESCO dhe monument i kategorisë së parë”, pohon studiuesi Neritan Ceka, ku sjell në vëmendje dhe punimet që janë bërë në Apolloni që sipas tij kanë probleme. Arkitektja Lida Miraj përmend rastin e Kishës së Kosinës në Përmet ky punimet janë gjithashtu larg kritereve. “Në Kishën e Kosinës në Përmet janë bërë punime jashtë kritereve. Kemi dhe kishat në Voskopojë, që janë bërë ndërhyje të gabuara. Në Kosinë kam bërë dhe foto. Aty ishin duke përdorur çimento dhe në restaurim është e ndaluar kjo, duhet të përdoren materialet, që janë bërë për ndërtimin. Por dhe në Labovë të Kryqit ka probleme, kanë hequr tullat origjinale dhe kanë vënë të reja”, pohon arkitektja Lida Miraj. Për arkitektin restaurator Kliti Kallamata gjatë këtyre viteve të fundit pothuajse të gjitha ndërhyrjet janë bërë jo profesionale. “Problemi është se IMK nuk ka restauratorë. Dhe vijojnë të bëjnë tendera fiktive. Thuajse në të gjitha ndërhyrjet këto vitet e fundit ka ndërhyrje jo profesionale”, pohon arkitekti restaurator Kliti Kallamata. Për specialistët monumentet e kulturës shkatërrohen në dy mënyra, duke mos i restauruar, ose duke i restauruar keq.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303