Reuters: Nëse numri i të vdekurve vazhdon të rritet, tërmeti mund të jetë më vdekjeprurës se ai në 1979

Ekipet e emergjencës gjetën pesë trupa të tjerë të mërkurën, ndërsa ata përdorën drone, qen dhe makineritë e rënda për të kërkuar nëpër rrënojat e mbetura pas tërmetit më të keq të Shqipërisë në dekada, duke sjellë numrin e vdekjeve në të paktën 26.

Në qytetin e Thumanës, afër epiqendrës së tërmetit të së martës, një grua u ndal para një ndërtese të rrënuar duke bërë thirrje që skuadrat e shpëtimit të gjenin mbesën e saj.

Policia tha se ata kishin gjetur një viktimë tjetër më herët, para agimit. Dy të tjerë u nxorrën disa orë më vonë.

Në Durrës, dy persona janë të bllokuar në rrënojat e një hoteli të rrëzuar.

Në të gjithë vendin, Ministria e Mbrojtjes tha se rreth 650 persona janë plagosur dhe 20 të tjerë të raportuar si të zhdukur.

Nëse numri i të vdekurve vazhdon të rritet, tërmeti mund të jetë më vdekjeprurës se ai në 1979 në të cilin u vranë 40 persona.

Tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter, me qendër 30 km në perëndim të Tiranës, u ndje në të gjithë Ballkanin dhe në rajonin jugor italian të Puglia, përtej detit Adriatik nga Shqipëria.

Të paktën 250 tërmete – dy prej tyre me magnitudë 5 Rihter, pastaj tronditën Shqipërinë pas tërmetit të fortë që ra në orët e para të mëngjesit të së martës , duke vazhduar deri të mërkurën. Qindra njerëz e kaluan natën duke fjetur në tenda të ngritura nga shërbimet e emergjencës.

Italia, Franca, Rumania, Turqia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia kanë dërguar 200 trupa, mjete dhe ekipe të specializuara për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit dhe nxjerrjes së njerëzve nga rrënojat./real-news.tv/