Rexhep Meidani mbush 75 vjeç, Meta i bën urimin special

Presidenti Ilir Meta ka uruar paraardhësin e tij, Rexhep Meidani, i cili feston sot 75-vjetorin e lindjes.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Meta rendit disa nga kontributet më të vyera të ish-Presidentit, që nga Kushtetuta demokratike e ’97-ës e deri te angazhimi për krizën në Kosovë.

Mesazhi i Metës:

Të dashur miq! Ishte kënaqësi t’i uroja sot 75-vjetorin e lindjes Prof. Rexhep Meidanit, ish-President i Republikës në vitet 1997-2002, një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm i shkencës, por edhe i jetës publike në vend, i cili ka ofruar gjithmonë kontribute pozitive me shumë përgjegjshmëri dhe modesti.

Në veçanti do theksoja sot kontributet e tij si President që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin 98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj.

Prof. Meidani për mua ka qenë gjithmonë një shembull i respektimit të institucioneve dhe parimeve demokratike, i mbrojtjes së interesit kombëtar dhe publik. Ndaj edhe njëherë po ndaj edhe me ju urimet e mia më të mira për Prof. Meidanin dhe familjen e tij në këtë ditë të gëzueshme.