Rezoluta për ndikimin rus, Bushati propozon amendime të reja

Një ditë pas diskutimit në Komisionin e Politikës së Jashtme të projektrezolutës së propozuar nga Taulant Balla për ndërhyrjet e huaja, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka depozituar sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare amendimet e tij.

Këto amendime bazohen në tre shtylla kryesore si; Legjislacioni dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë; media dhe edukimi.

Ditmir Bushati propozon edhe ndryshimin e titullit të projektrezolutës duke propozuar që të bëhet, “Projektrezolutë “Për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimit si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore”.

Sipas tij, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga deputeti Balla, “është marrë nga Rezoluta e Parlamentit Europian, miratuar në 10 tetor 2019,  e cila reflekton një realitet tjetër në nivel supra-kombëtar, siç është forma e organizimit të BE-së, bazuar mbi parimin e subsidiaritetit. Për më tepër, Rezoluta e miratuar në Parlamentin Europian është shumatore e një sërë aktesh e dokumentesh të miratuara nga institucionet e BE”.

Bushati propozon ndryshime të thella në preambul të projektrezolutës, në referimin e kushteve që gjeneruan këto amendamente si dhe rekomandimet që lë Kuvendi ndaj institucioneve.

Propozimet e tij synojnë të reflektojnë realitetin në një pjesë të vendeve anëtare të NATO-s, të cilat janë përballur me fenomene të këtilla.

Gjithashtu, ky ndryshim vjen në përputhje me doktrinën e sigurisë kombëtare ku përfshihet dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare; Strategjinë e Mbrojtjes Kibernetike; Dokumentin e Politikave për Sigurinë Kibernetike për vitet 2015-2017; Agjendën Digitale të Shqipërisë 2014-2020.

Për Bushatin, referenca dhe mbështetja në bazën ligjore dhe rregullatore kombëtare është e domosdoshme për trajtimin e këtij fenomeni dhe në respekt të arritjeve të deritanishme të vendit dhe bilancit në këtë drejtim.

“Këto ndryshime arsyetohen me faktin se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar strategji dhe ligje që rregullojnë dhe garantojnë veprimtarinë e institucioneve në këtë fushë, sikundër detyrimet që lindin në bazë të këtyre ligjeve për këto institucione për të ofruar të dhëna, garanci, mbrojtje dhe zbatimin e politikave të hartuara”.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare propozon amendime të projektrezolutës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë me synim harmonizimin konceptual dhe terminologjik me konceptin strategjik të NATO-s, SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së.

Ndërhyrja e tretë e Ditmir Bushatit ka të bëjë me çështje të dezinformimit apo ndërhyrjet në proceset zgjedhore.

Propozimet e tij ndahen në dy drejtime, rregullimi i kuadrit ligjor për mediat elektronike dhe qasja edukative.

Amendimi “inkurajon institucionet përgjegjëse që të angazhohen në një strategji edukative në bashkëpunim me shoqërinë civile për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e fenomeneve që kanë të bëjnë me dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes, dhe nga ana tjetër propozon dhe disa nisma që kanë të bëjnë me mediat”.  

Ndërsa përsa i takon medias, veçanërisht asaj elektronike, ai propozon “ndërtimin e urave të bashkëpunimit me platformat e rrjeteve sociale në mënyrë që të sigurohet informacioni i plotë rreth reklamave politike, financimit të tyre dhe ruajtjes e mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve”.

Bushati gjithashtu kërkon që “Institucionet përgjegjëse të marrin masat për hartimin e kuadrit ligjor për adresimin e çështjeve të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e mediave elektronike duke respektuar parimet kushtetuese mbi lirinë dhe të drejtën e shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së, rekomandimet e OSBE-së, të bazuara mbi parimin e vet-rregullimit, proporcionalitetit dhe nevojën për unifikimin e masave për mediat elektronike dhe ato audiovizuale, duke përcaktuar qartë subjektet që preken nga ligji dhe strukturën që do të kontrollojë zbatimin e ligjit”.