Rikthehen temperaturat e larta, rritet rreziku nga zjarret në Australi

zjarret-ne-australi.jpg

Autoritetet në juglindje të Australisë u bënë thirrje banorëve të largohen për shkak të rikthimit të nxehtësisë ekstreme dhe erërave të forta që pritet të përkeqësojnë situatën e krijuar nga zjarret masive.

Ditën e premte temperaturat priten të rriten mbi 30 gradë Celsius, duke i dhënë fund shiut e temperaturave më të ulta që ofruan një lehtësim të përkohshëm për zjarrfikësit që luftojnë me flakët prej muajit shtator. Si pasojë e një thatësire tre-vjeçare rajoni është shndërruar në një tokë shkurresh të thata që kanë nxitur katastrofën.

Temperaturat në rritje kanë bërë që zyrtarët në shtetin Victoria të zgjasin periudhën nën të cilën shteti do të jetë në emergjencë.

Që nga fillimi i zjarreve në shtator, kanë vdekur rreth 26 persona. Më shumë se 2000 shtëpi janë shkatërruar dhe miliona hektarë tokë janë djegur.

Ekspertët kanë frikë që të paktën një miliard kafshë kanë ngordhur për shkak të zjarreve, mes tyre zvarranikë, zogj, bretkosa dhe insekte të tjera.

Ekziston frika e një përkeqësimi të situatës, sipas meteorologëve, që thonë që temperaturat do shkojnë sërish në mbi 40°C Në New South Wales.

scroll to top