fbpx

Rikthehet Kupa e Shqipërisë, sot në fushë, Partizani, Kukësi e Luftëtari

Screenshot_1-3.png

Kupa e Shqipërisë rikthehet këtë të martë me 3 sfida interesante të vlefshme për raundin e 1/16-ave. Tre skuadra të Superiores, dy pretendentët për titull Partizani dhe Kukësi, si dhe Luftëtari do të zbresin sot në fushë me misionin për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në 1/8-at e këtij kompeticioni. Në fakt të treja skuadrat kanë fituar ndeshjet e para në transfertë dhe kualifikimi parashikohet thjeshtë një formalitet. Partizani do të presë në kompleksin Internacional në Pezë Helmës, Vorën vetëm 2 ditë pas fitores në derbi ndaj Tiranës, por koha e shkurtër për të përgatitur këtë sfidë nuk përbën asnjë lloj problemi për skuadrën e Lerdës që sot do të hedhë në fushë lojtarët që janë aktivizuar më pak në këtë sezon.

Partizani bën pjesë në grupin A dhe në ndeshjen e parë ndaj Vorës ka triumfuar me shifrat 3-0. Në grupin B, Kukësi pret në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz, Shkumbinin që i ka bërë një nisje shumë të mirë sezonit në Kategorinë e Parë. Megjithatë fitorja 3-1 në ndeshjen e parë, pothuajse ka kualifikuar verilindorët me trajnerin që sot do t’u besojë atyre lojtarëve që kanë luajtur më pak, pasi vëmendja e Kukësit është te ndeshja e fundjavës ndaj Vllaznisë. Një ndeshje të lehtë në letër ka edhe Luftëtari që po në grupin B pret në Gjirokastër, Turbinën e Cërrikut. Bluzinjtë kanë fituar 1-0 në ndeshjen e parë dhe kualifikimi parashikohet një mision i lehtë për ta. Të treja këto takime do të zhvillohen në orën 14:00.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303