Panairi më i madh i fotografive në Europë, “Paris Photo 2018” kthehet nga 08-11 nëntori, me një seksion të ri mbi imazhet erotike dhe një numër të shtuar të fotografeve femra.
Mes të rejave të këtij edicioni, do të jetë seksioni “Kuriozitet”, i kuruar nga shkrimtarja Martha Kirszenbaum, e cila do t’i prezantojë publikut një përmbledhje imazhesh erotike, që reflektojnë temat mbi marrëdhëniet e pushtetit, të dominimit dhe çështjeve që kanë të bëjnë me natyrën e këtij lloji.
Në edicionin e 22-të, ‘Paris Photo 2018’, do të mbledhë së bashku rreth 200 ekspozues në Grand Palais. Përveç seksionit “Kuriozitet”, panairi do të ndahet në katër sektorë të tjerë – sektori kryesor, në të cilin galeritë janë inkurajuar të sjellin shfaqje të një ose dy fotografëve; sektori “Prizmi”, i cili mbledh galeritë që tregojnë seri të mëdha të formateve dhe projektet e instalimit; dhe sektori i librit, i cili bashkon botuesit specialë të librave.
Edhe këtë vit nuk do të mungojnë emrat e mëdhenj të fotografisë ndërkombëtare bashkëkohore, të ftuar nga galeritë e pranishme në hapësirën mondane të Grand Palais.
Ndër artistët e spikatur do jenë Ugo Mulas, italian i prezantuar nga galeria Rumma e Milanos, fotografi anglez Richard Mosse, përfaqësues i galerisë Carlier Gebauer të Berlinit, dhe gjermani Axel Hutte, i propozuar nga galeria Nikolaus Ruzicska e Salisburgut.