fbpx

Rikthehet Superiorja, spikat sfida e Vlorës, Flamurtari-Tirana

Superiorja.jpg

Foto ilustruese

Partizani kryesues pret në shtëpi Luftëtarin, me të kuqtë që vijnë nga një moment i mirë me 6 fitore në 7 javët e fundit, për më tepër që nuk kanë pësuar asnjë gol në këto sfida.

Sigurisht që ndalesa mund të jetë një minus për kryeqytetasit, pasi ulin disi entuziazmin që i kishte përfshirë, por mbi të gjitha humbasin portierin dhe kapitenin e tyre Alban Hoxha, që erdhi i dëmtuar nga grumbullimi i Kombëtares.

Krejt e kundërta me Luftëtarin, që ndalesa i dha mundësi për të rikuperuar energjitë, por edhe lojtarët e dëmtuar.

Korça pret Kamzën

Në Korçë kampionët presin Kamzën, një sfidë që duhet fituar nga të dy ekipet.

Skënderbeu kërkon të ruajë ritmin e kryesuesve, ndërsa Kamza për t’iu larguar zonës së ftohtë.

Ekipet kanë përfituar nga kjo ndalesë, sidomos Kamza, e cila ka nevojë edhe për një përgatitje të veçantë në aspektin psikologjik.

Laçi pret Teutën

Me entuziazmin e renditjes dhe rezultateve Laçi pret Teutën, por në një fushë neutrale.

Kurbinasit do të luajnë duelin me “Djemtë e Detit” në “Elbasan Arena”, një sfidë që nuk rezulton të jetë aq e lehtë në letër.

Bardhezinjtë vijnë të karikuar pas një starti shpërthyes, ndërkohë, në krahun tjetër, për durrsakët kjo është një përballje direkte për t’iu rikthyer pretendimeve të fillim sezonit.

Kukësi me Kastriotin

Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Kukësi ka mundësinë t’i rikthehet fitores, pasi udhëton në Fushë Krujë për t’u përballur me Kastriotin.

Vendësit janë treguar shumë të dobët në këtë fazë të parë dhe përballja me nënkampionët shihet një një tjetër mundësi për të qëndruar deri në stacionin e fundit në trenin e Superiores.

Flamurtari pret Tiranën

Dueli më interesant i javës luhet në Vlorë, ku Flamurtari pret Tiranën, një sfidë ndërmjet dy skuadrave në krizë rezultatesh.

Vlonjatët vijnë nga 1 fitore 1 barazim dhe 3 humbje në 5 javët e fundit, ndërsa Tirana nga humbja me Laçin në shtëpi, që solli shkarkimin e trajnerit brazilian Ze Maria dhe vendosjen në krye të ekipit të Ardian Memës.

Rikthimi i Memës në Vlorë është një tjetër detaj interesant i javës, duke qenë se në fillim të javës së shkuar ishte ende në stërvitje me vlonjatët në krah të trajnerit Ilir Daja.

Pas ndalesës, kampionati rikthehet me shumë pikëpyetje dhe gati për të dhuruar emocione të mëdha.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *