Rikthimi i vizave/ Thirrja urgjente për Qeverinë shqiptare

Lajmi shumë i keq për vendimin e parlamentit holandez për t’i kërkuar Komisionit Evropian rikthimin e vizave për shqiptarët, ka pasur edhe një reagim nga ish-ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha.

Gjosha i ka bërë thirrje ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, si dhe kryeministrit Edi Rama që të nisin bisedimet me Holandën për të ndaluar rikthimin e vizave.

“Sot parlamenti holandez ka votuar me 108 vota pro dhe 42 kundër për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët për shkak të kriminalitetit të lartë me origjinë shqiptare që ka shkaktuar një problematikë të madhe në vendin e tyre. Parlamenti më tej kërkon t’i drejtohet Komisionit Europian që të miratojë këtë kërkesë qoftë edhe për vendosjen e vizave vetëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe rikujtoj këtu që çdo vend i BE ka të drejtë të kërkojë rikthimin e vizave nëse atyre i cënohet siguria kombëtare dhe në këtë rast është prekur siguria kombëtare e tyre për shkak të krimit të lartë të eksportuar nga pala shqiptare.

I bëj thirrje ministrit të Jashtëm të komanduar në mënyrë antikushtetuese të mos merret më me targat dhe pasaportat diplomatike, por në mënyrë urgjente të kërkojë dialog me palën holandeze për të frenuar këtë fenomen që mund të marrë përmasa më të papërshkrueshme në debatin e ardhshëm të vendeve anëtare. I bëj thirrje ministrit të Brendshëm të ndalë menjëherë arrestimet e qytetarëve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre dhe të merret seriozisht me të gjitha instancat që ai drejton për të luftuar krimin e organizuar. I bëj thirrje të nisë urgjentisht bashkëpunimin me institucionet e rendit të Holandës dhe të vendeve të tjera anëtare për të goditur në partneritet këtë fenomen. I bëj thirrje kryeministrit të ndalë arrogancën, memet, fyerjet dhe përçmimin që po i bën shqiptarëve dhe të gjejë urgjentisht një rrugëdalje dhe zgjidhje për këtë vendim i cili do të mbajë peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë”,- tha ndër të tjera Gjosha. /real-neës.tv/