Rikthimi në shkollë pas tërmetit/ Flet pedagogia: Nxënësit të mos ngarkohen me emocione

Pedagogia Eris Dhamo deklaroi se fëmijët në këtë situatë post-tërmet nuk duhet të mbushen me emocione. Në një intervistë për “FaxNews”, ajo tha se më e mira është rikthimi tek normaliteti me qëllim që të humbet mendja.

Sipas saj, nxënësit duhet të angazhohen me aktivitete sportive dhe muzikore në mënyrë që mos kalojnë trauma për shkak të tërmetit. Dhamo kërkoi që testet në lëndët mësimore këto ditë të mos kryhen ose të jenë më të lehta se zakonisht.

“Një i rritur kur është i panikosur e kalon panikun edhe tek fëmijët. Prandaj duhet edukimi dhe trajnimi. Mësimi është normal, ndërsa është filluar edhe planet për pemën e Vitit të Ri. Mësuesve u është kërkuar që të mos kenë kërkesa të larta ndaj nxënësve. Duhet të krijojmë sa më shumë aktivitete sportive apo muzikore.

Të planifikohen pushime, të zbukurohen ambientet ku qëndrojmë. Nxënësit të mos ngarkohen me emocione, të mos bëhen teste këto ditë, testet të jenë pak më të lehta. Të angazhohen fëmijët, të diskutohet mbi emocionet, çfarë ndjeva, si e kapërceva.

Në ditët e para, në vend që ta qetësonin fëmijën, mbaheshin televizonet hapur, telefonët nëpër duar dhe kjo shtonte stresin. Informacioni që duhet t’i jepet fëmijët duhet t’i jepet i kujdesshëm, jo 24 orë. A ishin familjarët të përgatitur për të ndejtur me fëmijët ato ditë pushimi? E gjithë Shqipëria duhet thënë se nuk ishte gati. Duhet të ruhet qetësia”, tha pedagogia.

Ajo deklaroi se ka nga ato raste kur njerëzit nuk e vuajnë më emocionalisht tërmetin, por kanë nisur dhimbjet fizike për shkak të traumës. Dhamo tregoi se çfarë duhet bërë në këto raste.

“Nga kontaktet e mija, ka njerëz që kanë kaluar tani nga mendimet e këqija dhe faktorët emocionalë, tek faktorët fizikë, ndjejnë dhimbje, plogështi, dhimbje, pickim. Këto dhimbje janë dhimbje shoqëruese të post-traumës. Kjo është për shkak të periudhës së ngarkuar.

Në momentin e parë duhet të relaksohemi kur e kuptojmë që po kalojmë këtë moment krize. Duhet të marrim frymë thellë dhe mbushim barkun dhe gjoksin me ajër”, u shpreh pedagogia Eris Dhamo.