Rinumërohen mbi 21% të vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve, për të cilat KQZ-ja është urdhëruar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Deri më tani janë rinumëruar 299 nga 1428 vendvotime ose saktësisht në përqindje 21,35% e totalit të kutive.

Këtë e ka konfirmuar Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se nga e pasditja e së mërkurës kur ka filluar zbatimi i vendimit të PZAP-it dhe deri të premten në mesnatë janë rinumëruar 299 vendvotime apo 21.25%”, ka thënë Elezi.

PZAP më 11 nëntor kishte vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1 mijë e 428 vendvotimeve pas ankesave të pranuara nga subjektet politike që gjithsej ishin 102, si dhe ta pranojë të bazuar ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia.