Risia/ Hapet në Tiranë laboratori i kodimit dhe i programimit

Veliaj-ne-hapjen-e-qendres-Bonevet-1.jpg

Qendra 'Bonevet'

Edhe Tirana ka tashmë një hapësirë të inovacionit dhe robotikës profesionale kushtuar vetëm fëmijëve, si një mënyrë për të nxitur shpirtin e krijimit tek ata, edukimin me kreativitetin, inovacionin, kuriozitetin, aftësitë teknike dhe argëtimin.

Pas katër viteve të suksesshme në Gjakovë dhe në Prishtinë, qendra “Bonevet” vjen edhe në Tiranë, ku fëmijët mund të mësojnë përmes teknologjisë së përparuar dhe lojës.

Në hapjen e kësaj qendre në kryeqytet, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi fantastike këtë nismë, ku fëmijë nga shtresa të ndryshme sociale do të mund të mësojnë programimin dhe gjuhën e kodimit.

“Të gjithë duan ndryshimin, që gjërat të bëhen, por asnjë nuk thotë do ta bëj vetë. Secili thotë: Jo, jo, të vijë ndryshimi, por të ndryshojë dikush tjetër. Unë besoj se kjo sfidon jo vetëm një grup fëmijësh. Jam i bindur se secili prej jush do gjejë veten, për mekanikë, elektronikë, por ajo që besoj se është më e rëndësishme është të kuptojmë se kjo është një mundësi fantastike që ndoshta nuk e kanë të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Më vjen mirë që këtu ka fëmijë nga Shtëpia e Fëmijës, nga komunitete të ndryshme”, tha Veliaj.

Ai shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur në mënyrë konkrete nisma të tilla që janë risi dhe që do të transformojnë Shqipërinë.

“Dua që në buxhetin e Bashkisë së Tiranës të vendosim një fond për t’iu bashkuar sfidës, e mandej ju mund ta vendosni vetë si do ta përdorni. Mund ta përdorni si bursa, mund ta përdorni për të shtuar kapacitetet, mund ta përdorni për të shtuar programet që ofroni, por duam që të jemi pjesë e një historie suksesi që lind sot. Na quani partnerë, jo vetëm me llafe, por edhe për të investuar në një risi që do transformojë Shqipërinë”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt edhe Piramida do të shndërrohet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e iniciativash, por edhe një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.

“Dy janë mundësitë, ose do rrimë te kangjellat dhe do shohim të tjerët që kalojnë, ose themi: E di çfarë, unë do ta vendos që tani sepse keni një mundësi fantastike. Ju sot mund të vendosni nëse do bëheni kryeministri i ardhshëm ose kryetari i Bashkisë i ardhshëm, nëse do të bëheni sipërmarrësi më i suksesshëm në Shqipëri apo nëse do jeni programues i një software që do ndryshojë jo vetëm Shqipërinë, por dhe botën; por duhet ta vendosni sot”, nënvizoi Veliaj.

Ai vlerësoi ndryshimin e konceptit të sipërmarrjeve private në Shqipëri, ku nga një biznes primitiv i viteve ’90, i orientuar vetëm drejt fitimit, tashmë gjithnjë e më shumë bëhet pjesë e nismave në dobi të komunitetit.

Veliaj kërkoi prej të rinjve që të orientohen drejt nismave të tilla inovative.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303