Ronaldo, ka disa fjalë të mrekullueshme për Mesin

Ronaldo Nazario shpreson se Lionel Messi do të vazhdojë të luajë futboll sa të është gjallë, në mënyrë që t’i argëtojë njerëzit në gjithë botën me lojën e tij të mrekullueshme. Messi i mbushi 32 vjet të martën dhe tani po shpreson ta fitojë Kupën e Amerikës me Argjentinën këtë verë në Brazil.

Argjentina dhe Brazili e kanë siguruar kalimin në çerekfinale dhe do të përballet mes vete nëse të dyja e arrijnë gjysmëfinalen. Ronaldo, i cili e fitoi Kupën e Botës me Brazilin më 2002, beson se rivaliteti i ka bërë këto dy kombëtare më të mira. “Mendoj se rivaliteti i ka bërë Argjentinën dhe Brazilin edhe më të mira”, tha Ronaldo për Marca. “Përveç futbollit nuk kam asgjë kundër Argjentinës. Kam shumë miq argjentinas, kam qenë në Argjentinë shumë herë dhe shumë argjentinas shkojnë në Brazil për pushime, pra ka shumë miqësi mes nesh”, shtoi ai.

Ronaldo i thuri shumë lavde Messit, përkundër rivalitetit Brazil – Argjentinë dhe Real Madrid – Barcelonë. “Në radhë të parë, dua t’ia uroj Messit ditëlindjen dhe shpresoj se ai do të jetojë edhe 100 vjet. Epo, çfarë mund të them për Leon? Shpresoj se ai do të luajë sa të jetë gjallë”, theksoi Ronaldon.

“Leo është lojtar që i argëton njerëzit. Mendoj se krahasimi Messi i Argjentinës dhe Messi i Barcelonës është i padrejtë. Jam i sigurt se Leo dëshiron të japë gjithçka nga vetja për ekipin e tij kombëtar”, shtoi ai.