Roth: Bojkoti i parlamentit nga opozita, i papërgjegjshëm

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Menjëherë pas takimit, Roth ka folur rreth situatës politike në Shqipëri, ku më së tepërmi u ndaj te dorëzimi i mandateve dhe braktisja e parlamentit nga ana e opozitës.

“E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Kam frikë se atmosfera është helmuar aq shumë sa që nuk do të ketë më dialog mes partive të opozitës dhe qeverisë, edhe pse ky dialog është shumë i nevojshëm”, theksoi ai.

Më tej, i pyetur nëse e rrezikon gjendja aktuale në Shqipëri çeljen e negociatave me të anëtarësimit në BE, Roth tha se reformat mund të fillojnë vetëm nëse opozita vendoset në parlament./real-news.tv