Rrëzuan dekretin e Metës, opozita kallëzon mazhorancën

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kallëzuar penalisht në Prokurori deputetët e mazhorancës, pasi sipas tyre kanë shkelur rregulloren e Kuvendit duke rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin e ‘tatimin mbi të ardhurat’.

PD-LSI thekson se është shkelur rregullorja e Kuvendit duke rrëzuar dekretin e presidentit pa kaluar 12 orë nga miratimi dhe administrimi i këtij akti në Kuvend. PD-LSI akuzojnë deputetët e mazhorancës për veprat penale ‘ushtrim të ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë’ si dhe ‘shpërdorim detyre’.

Kujtojmë se dy ditë më parë PD-LSI iu drejtua me një letër Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku kërkohet anulimi i rrëzimit të dekretit të Presidentit Meta për ligjin e ‘tatimin mbi të ardhurat’.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqipërisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetesën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me çështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”- thuhet në letër. (real-news.tv)

Lër një koment