Rudina Hajdari flet pas tryezës për Reformën Zgjedhore: PD-LSI kuptuan rrugën e duhur

Rudina Hajdari, bashkëkryetare e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, ka deklaruar se pjesëmarrja e PD-LSI në tryezë, tregon se kanë pranuar që rruga e duhur për të zgjidhur problemet është rruga institucionale, dhe jo e protestave e molotovëve që dëmtojnë Shqipërinë.

Në përfundim të takimit, ajo tha se nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për ndryshimin e sistemit dhe për listat e hapura.

“Besoj se prezenca e PD dhe LSI në këtë tryezë tregon se kanë pranuar që rruga e duhur për të zgjidhur problemet është rruga institucionale, dhe jo e protestave e molotovëve që dëmtojnë Shqipërinë. Besoj se pranuan që rruga që do t’i jepte zgjidhje krizës politike është duke ardhur me ide dhe plane konkrete, të cilat i diskutuam sot. Kjo do të kërkojë konsensus nga të gjitha palët, por unë dua të theksoj se vullneti i opozitës brenda parlamentit do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Shqiptarët kanë nevojë që t’i kthehet sovraniteti në parlament. Shqiptarët të kenë një kod dhe jë sistem zgjedhor që i jep atyre të drejtën e lirë për të pasur një përfaqësim dinjitoz në parlament. Unë do luftoj deri në fund për këtë qëllim. Zgjodhëm rrugën e duhur, atë të institucioneve”, u shpreh Hajdari.