Rusia bllokon rezolutën amerikane në OKB për zgjidhjen e krizës në Venezuelë

CF81EE69-0F45-4725-AF0A-F6214B34F62C.jpeg

Duke e konsideruar si pretekst për qëllime të këqija, Rusia ka përdorur veton për ta bllokuar një draft-rezolutë të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën bëhej thirrje për zgjedhje të reja dhe shpërndarje të ndihmave humanitare në Venezuelë.
Votimi i kësaj draft rezolute në Këshillin e Sigurimit është përplasja më e re e fuqive botërore për krizën në Venezuelë. Ky dokument u kundërshtua edhe nga Kina, e cila gjithashtu është anëtare e përhershme e këtij këshilli dhe e ka të drejtën e vetos. Për më tepër, Rusia propozoi një rezolutë tjetër për këtë çështje, por ajo u kundërshtua nga Këshilli i Sigurimit.

Kremlini po i qëndron pranë presidentit Nicolas Maduro, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 shtete tjera, shumica prej tyre nga Amerika Latine dhe Evropa, i kanë ndërprerë marrëdhëniet me të. Këto shtete po e akuzojnë qeverinë e Maduros për menaxhim të keq të shtetit dhe shkatërrim të ekonomisë. Sipas tyre, kjo gjendje ka shkaktuar katastrofë humanitare dhe zhvendosje të 3.4 milionë njerëzve nga Venezuela.

Përfaqësuesi special i Shtëpisë së Bardhë për Venezuelën, Elliot Abrams, ka thënë se regjimi i Maduros është i korruptuar dhe ka kërkuar që në Venezuelë të vendoset sistemi demokratik në mënyrë paqësore./real-news.tv/

scroll to top