Rusia dhe Lituania shkëmbejnë spiunët

Rusia dhe Lituania kanë shkëmbyer me marrëveshje spiunë të vendeve të tyre të kapur në vendet përkatëse.

Rusia ka lënë të lirë dy lituanezë dhe një norvegjez, në këmbim të dy spiunëve rusë të arrestuar nga Lituania. Shefi i inteligjencës lituaneze, Darius Janiskis bëri me dije se shkëmbimi ndodhi në një pikë kontrollit në kufi të Lituanisë.

Dy lituanezët e shkëmbyer në këtë marrëveshje, Jevgenij Mataitis dhe Aristidas Tamosaitis, u ndaluan nga autoritetet ruse nën akuzën për spiunazh. Ndërsa norvegjezi, ishte një roje në pension i kufirit mes Norvegjisë dhe Rusisë, i cili u arrestua në vitin 2017 në Moskë dhe u shpall fajtor për mbledhje informacioni në favor të Norvegjisë.

Ndërsa spiunët rusë ishin Nikolai Filipchenko, i cili kishte si mision të hynte në stafin e sigurisë të presidentit lituanez dhe të vendoste pajisje përgjuese në presidencë dhe në zyrë, si dhe Sergej Moisejenko, i cili mblidhte informacion rreth forcave ushtarake të Lituanisë dhe atyre të NATO.

Mediat e huaja e cilësuan këtë një proces të ngjashëm me ato të përdorur gjatë Luftës së Ftohtë.