Rusia injoron thirrjet për të liruar anijet ukrainase

Rusia ka injoruar thirrjet e perëndimit për të liruar tre anije të marinës detare Ukrainase dhe ekuipazhet e tyre të  cilët i ka qëlluar dhe kapur pranë Krimesë këtë fundjavë dhe ka akuzuar Kievin për komplot së bashku me aleatët e saj perëndimor për të provokuar një konflikt.

Ukraina nga ana tjetër akuzoi Rusinë për agresion ushtarak dhe i vuri forcat e saj të armatosura në gatishmëri të plotë luftarake, duke thënë se gëzon të drejtën për të mbrojtur veten. Ligjvënësit ukrainas do të vendosin nëse do të miratojnë thirrjen e Presidentit Petro Poroshenko për të vendosur ligjin ushtarak në Ukrainë për dy muaj.

Me marrëdhëniet ende të acaruara pas aneksimit të Krimesë të Ukrainës nga Rusia prej vitit 2014 dhe mbështetjes së saj për një rebelim pro-Moskë në Ukrainën lindore, kriza rrezikon t’i shtyjë të dy vendet drejt një konflikti më të gjerë.

NATO thirri një takim urgjent me Ukrainën të hënën pasi kreu i aleancës Jens Stoltenberg mbajti një telefonatë me Poroshenkon. Ai ofroi “mbështetjen e plotë të NATO-s për integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës”. Ukraina nuk është anëtare e aleancës së udhëhequr nga SHBA.

Bashkimi Europian, Britania, Franca, Polonia, Danimarka dhe Kanadaja dënuan atë që ata e quajtën agresion rus.

Lër një koment