Sadiku në superformë, shënon sërish. I dërgon një mesazh edhe Edi Rejas

Armando Sadiku ka humbur rolin e tij si protagonist absolut në sulmin kuqezi, stafetë të cilën e ka marrë Sokol Cikalleshi, por sulmuesi elbasanas mbetet një element shumë i rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen e ekipit Kombëtar.

Dëmtimet e shumta dhe ndryshimi i ekipeve në vazhdimësi kanë qenë disa nga faktorët që kanë zbehur jo pak statusin e Sadikut por transferimi i tij te Malaga me sa duket po rezulton një lëvizje efikase.

Në javën e 12-të të Ligës së dytë në Spanjë, Sadiku realizoi një gol shumë të rëndësishëm për ekipin e tij në fitoren 0-2 që Malaga arriti të transfertë përballë Deportivo La Coruna.

Sulmuesi kuqezi hipotekoi këtë 3-pikësh në minutën e 87-të duke treguar instinkt të pastër sulmuesi, ndoqi mirë aksionin duke përfituar nga një dalje e gabuar e portierit dhe me kokë realizoi golin e dytë për Malgan, ky ishte goli i tij i tretë me fanellën e ekipit spanjoll.

Si gjithnjë titullar dhe 90-minuta në fushë ishte dhe Keidi Bare, siç është bërë tashmë traditë, Bare nuk harroi as të ndëshkohet me karton të verdhë.