Salvini besimplotë se do të arrihet marrëveshje me BE për borxhin

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini ka deklaruar se Italia nuk do të bjerë pre e masave ndëshkuese nga Bashkimi Europian. Salvini ka shprehur bindjen se Roma dhe Brukseli do të arrijnë një marrëveshje mbi nivelin e lartë të borxhit italian.

Salvini është shprehur besimplotë se Roma do të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian në lidhje me financat publike. Italia rrezikon t’i nënshtrohet masave disiplinore nga Brukseli në lidhje me borxhin e saj prej 2.3 trilionë eurosh, që është 1.3 herë më i lartë se prodhimi i brendshëm e që në ambientet e Eurozonës vjen vetëm pas borxhit të Greqisë.

Më herët kryeministri Giusepe Conte, në një intervistë për një gazetë vendase deklaroi se tregjet financiare mund të tronditen dhe normat e kreditimit të bien nëse masat ndëshkuese hyjnë në fuqi.

Por Salvini, partia e të cilit doli më e fortë nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale i mbajtur të dielën në Itali, dha garancinë e tij se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Gjëja e fundit që duam është të përfshihemi në një luftë me Europën. Por e vetmja gjë për të cilën nuk mund të bëj kompromis është nevoja për të reduktuar kuotën e papunësisë së Italisë”, deklaroi Salvini duke shtuar se është gjithashtu në interesin e Europës që të ketë një Itali që ecën përpara dhe jo një Itali që pengohet.

Zyrtarë nga  28 vende të BE-së  do  të takohen në 11-12 qershor dhe pritet të publikojnë një procedurë disiplinore  të BE-së kundër Italisë mbi borxhin e saj prej 2.3 trilionë euro.

Kryeministri Conte ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse dy liderët e koalicionit nuk  arrijnë kompromis për të zgjidhur çështjen e buxhetit./real-news.tv/