Sekretari amerikan i Shtetit i shkruan Vuçiç

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, uroi sot Serbinë në Ditën e Pavarësisë përmes një letre ku ka përmendur edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë marrëdhëniet me Serbinë dhe kanë në vizion një Serbi demokratike, të zhvilluar ekonomikisht që është në paqe me fqinjët e saj dhe plotësisht të integruar në Europë”, thuhet në deklaratë.

Pompeo gjithashtu në këtë letër ka thënë se SHBA është e përkushtuar që t’i mbështesë serbët për rrugën e tyre drejt pranimit në BE.

“Ne jemi të inkurajuar nga ngjarjet e fundit që janë tregues i hapave drejt lehtësimit të investimeve, turizmit dhe lidhjeve tregtare me Kosovën. Ne jemi optimistë që Serbia dhe Kosova do të bëjnë përparime të mëtejshme në normalizimin e marrëdhënieve në të ardhmen e afërt.

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë. Vendet tona kanë qëndruar krah për krah në të dy luftërat botërore dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur për një kohë të gjatë integrimin evropian të Serbisë”- thuhet në letër.

Ai deklaroi se “shumë amerikanë të shquar me origjinë serbe kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për shoqërinë amerikane, por për botën dhe ata vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot”.

“Ne besojmë se viti i ardhshëm do të sigurojë mundësi për të forcuar më tej lidhjet Serbi-Shtetet e Bashkuara dhe të fillojë një fazë të re emocionuese të miqësisë sonë”-shkruhet në letër.