Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo viziton Irakun

Sekretari amerikan Shtetit Mike Pompeo bëri sot një vizitë të paparalajmëruar në Irak, ku u takua me kryeministrin Adel Abdul-Mahdi dhe zyrtarë të tjerë.

Pompeo po zhvillon një tur një javor në Lindjen e Mesme për t’u dhënë sigurime aleatëve në klimën e planeve amerikane të tërheqjes nga Siria si dhe për të kërkuar mbështetje për rritjen e presionit ndaj Iranit.

Pompeo u takua edhe me presidentin Barham Salih, ministrin e Jashtëm Mohamed Alhakim si dhe personelin ushtarak amerikan atje.

Në takimin me kryetarin e Parlamentit të Irakut Mohamed al-Halbousi, zoti Pompeo theksoi angazhimin për “trajtimin e sfidave të sigurisë së Irakut, përfshirë vazhdimin e partneritetit amerikan me forcat e sigurisë”.

Udhëtimin e tij diplomati më i lartë amerikan e nisi të martën me një vizitë në Jordani. Ai premtoi të dyfishojë përpjekjet diplomatike e tregtare për të ushtruar siç tha ai “presion të vërtetë mbi Iranin”, për të ndryshuar ato që administrata Trump i cilëson “sjellje keqdashëse në rajon”.

Pompeo pritet gjithashtu të vizitojë Egjiptin, Bahrenin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Arabinë Saudite, Omanin dhe Kuvajtin./real-news.tv/

Lër një koment