Senati italian refuzon Salvinin

Senati italian ka refuzuar kërkesën e zëvendëskryeministrit, Matteo Salvini, për një mocion të menjëhershëm mosbesimi kundër qeverisë ku ai vetë bën pjesë.

Senatorët e dhomës më të lartë të parlamentit vendosën që kryeministri, Giuseppe Conte, të martën e ardhshme të flasë për krizën brenda kabinetit në një seancë të posaçme.

Në reagimin e tij, Salvini përsëriti idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pasi qeveria nuk po funksionon.

Në këmbim të zgjedhjeve në vjeshtë, Salvini tha se do të votonte një propozim të hershëm të aleatëve të “Lëvizjes 5 Yjet” për uljen e numrit të parlamentarëve.

Ish-kryeministri demokrat, Matteo Renzi, paralajmëroi se një proces i ri zgjedhor do e shtynte Italinë drejt recesionit, ndaj sugjeroi formimin e një kabineti të ri teknik pavarësisht bindjeve politike.

Kjo u kundërshtua nga ministri i Brendshëm, Salvini, i cili këshilloi edhe ish-bashkëpunëtorët se kjo nuk do e zgjidhte krizën.

“Miq të ‘5 Yjeve’, përpara se të bëni aleanca më këta, mendojeni dy herë, sipas meje, madje tri herë. Ndryshe, paçi fat dhe bëni si ta mendoni më mirë. Ndërsa ne do të vazhdojmë më kokën lart t’u kërkojmë italianëve që ta kapim shtetin për dore dhe ta drejtojmë për pesë vitet e ardhshme,” u shpreh Salvini.

Zv.kryeministri dhe kreu i “5 Yjeve”, Luigi Di Maio, të hënën e hodhi poshtë një tryezë negociatash me demokratët, ndërsa vetë Salvini po shikon për aleanca të mundshme me “Forca Italian” e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi dhe partinë post-fashiste “Vëllezërit e Italisë”.