Serbi, protesta kundër Vuçiç

Mijëra demonstrues në Beograd kanë protestuar sërish kundër presidentit Alexander Vuçiç dhe qeverisë së Kryeministres Brnabiq.

Pavarësisht borës dhe të ftohtit, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Vuçiç – hajdut”, “T’i jepet fund këmishave të përgjakura”, “Deri kur do ta durojmë të keqen?”. Demonstruesve u prinin ish-ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç, ish – kryetari i Beogradit, tani një ndër liderët opozitarë, Dragan Gjillas, dhe krerët e disa partive më të vogla.

Protestat po zhvillohen nën moton “T’i japim fund këmishave të përgjakura” (me të cilën kërkohet fundi i dhunës ndaj politikanëve opozitarë, pas rrahjes së ish – drejtuesit të delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviç – i cili tani është në opozitë. Ai është rrahur nga simpatizantët e qeverisë në qytetin Krushevac, në Serbi.

Në Serbi aktualisht po vazhdon një tendosje e thellë për shkak të krijimit të ushtrisë së Kosovës, respektivisht transformimit të FSK në ushtri. Kjo është pritur me reagime të ashpra në Beogradl, ku thuhet se Serbia nuk do të lejojë aksionet e dhunshme ndaj serbëve në Kosovë. Presidentit Vuçiç ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë të OKB, të hënën në Nju Jork.

Lër një koment