Sergei Lavrov: Marrëveshja bërthamore do të…

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka komentuar mbi marrëveshjen bërthamore të nënshkruar mes fuqive botërore në 2015.

Edhe pse SHBA është tërhequr nga marrëveshja, dhe Irani e ka shkelur atë disa  herë, Lavrov shpreson se marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore do të ruhet, pavarësisht tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja.

“Pavarësisht veprimeve të Uashingtonit që janë absolutisht të papranueshme, marrëveshja nuk e ka humbur rëndësinë e saj. Tani që ajo është shpërbërë ose është afër shpërbërjes, unë shpresoj se ende mund të ruhet”-ka thënë Lavrov.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr në maj të vitit të kaluar dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Iranit, për ta detyruar atë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Sipas Uashingtonit, kushtet e marrëveshjes së vitit 2015 nuk kanë qenë të ashpra mjaftueshëm, sa për ta penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Irani i mohon akuzat e SHBA-së se ai po përpiqet të zhvillojë raketa balistike.

Pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja, Teherani është tërhequr nga disa angazhime të marrëveshjes.