fbpx

Shahini dhe Cakaj reagojnë pas lajmeve se do ikin nga Shqipëria e do anëtarësohen në PDK

Pas shkrimeve në disa media në Kosovë se ministrat Besa Shahini dhe Gent Cakaj do të largohen nga Shqipëria dhe postet që mbajnë në Qeverinë Rama, për t’u aktivizuar në politikën kosovare duke u anëtarësuar në PDK, ka ardhur edhe reagimi i dy ministrave.

“Nënvizojmë se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me to. Siç ndodh rëndom në kaosin dashakeq dhe lajmet e rreme që mbizotërojnë aktualisht në media, edhe lajmi në fjalë është plotësisht i pavërtetë”, ka thënë zyra e ministres Shahini për Express.

Edhe zyra për Media e Gent Cakaj i ka mohuar këto lajme dhe i ka quajtur spekulime.

“Cakaj është Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë si dhe Sekretar i Partisë Socialiste te Shqipërisë. E gjitha puna e tij është e fokusuar tek realizimi sa me i suksesshëm i detyrave të cilat i janë caktuar dhe mbi te gjitha këtij mandati. Çdo punë e tij e zhvilluar deri më sot shkon në përputhje me mandatin e tij. Kjo për t’u nënvizuar. Më vjen keq, por çdo gjë tjetër është spekulim për qëllime politike”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.