SHBA akuzon punonjësit e Twitter për spiunazh

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar për herë të parë Arabinë Saudite për spiunazh.

Departamenti amerikan i drejtësisë akuzoi zyrtarisht dy ish punonjës të rrjetit social Twitter për spiunazh për llogari të Riadit.

Sipas akuzave, të dy kishin për detyrë që të mblidhnin informacione në llogaritë e disa disidentëve apo kritikëve të Riad. Një nga të dy, me nënshtetësi amerikane, u arrestua.

Kjo është hera e parë që autoritetet federale amerikane akuzojnë publikisht Riadin, një nga aleatët kryesorë në Lindjen e Mesme, për spiunazh.

Ish-nëpunësi i dytë i Twitter, që akuzohet për spiunazh, është saudit, dhe sipas departamentit amerikan të drejtësisë , në vitin 2015 ai ka arritur të marrë informacione personale nga 6 mijë llogari, për t’ia dorëzuar më pas Riadit.

Njëri nga këto profile i përkiste Omar Abdulaziz, nëj nga personat më të afërt me Jamal Khashoggi, disidenti saudit dhe gazetarit të Uashington Post që u vra një vit më parë nga agjentë sauditë në Stamboll.

Një person i tretë, shtetasi saudit Ahmed Almutairi, akuzohet për spiunazh dhe ka shërbyer si ndërmjetës midis punonjësve të Twitterit dhe zyrtarëve sauditë.