fbpx

SHBA, bursat në pikiatë! Frika për valë të dytë të COVID-19

wallstreet.jpg

Aksionet ndërkombëtare në bursë pësuan tkurrje të ndjeshme, mes frikës se një valë e dytë e koronavirusit mund të dëmtojë më tej ekonominë, tashmë të drobitur.

Rënia vjen pas paralajmërimeve të Rezervave Federale në Shtetet e Bashkuara, se ekonominë amerikane e pret një rrugë e gjatë për rimëkëmbjen.

“Duhet të tregohemi të sinqertë e të pranojmë se rruga drejt rimëkëmbjes është e gjatë. Duhet të mobilizojmë të gjitha mjetet në dispozicion për t’ia arritur qëllimit”, deklaroi Jerome Powell, kreu i Rezervave Federale.

Tri indekset kryesore në Shtetet e Bashkuara përjetuan ditën më të keqe në disa javë.  Dow Jones rrëshqiti me 7 për qind, Nasdaq me 5 dhe S&P me 6 për qind.

Aksionet e kompanive të udhëtimit dhe firmave të mëdha si dyqanet Kohl’s dhe GAP, ishin ndër më të goditurat. Rënie të konsiderueshme pati edhe në bursat kryesore të Azisë, në Japoni, Hong Kong dhe Kinë.

Analistët thonë se investitorët mund ta kenë rritur artificialisht tregun javët e fundit me shpresën për një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike pas COVID-it. Por rritja e rasteve me koronavirus në shumë  shtete që kanë nisur rihapjen, riktheu sërish shqetësimet.

Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin u përpoq të qetësonte tregjet duke thënë se ekonomia amerikane do të vazhdojë në rrugën e rihapjes së plotë.

“Nuk mund ta mbyllim përsëri ekonominë. Mendoj se e mësuam se nëse mbyllim ekonominë, do të shkaktojmë më shumë dëm dhe jo thjesht ekonomik, por edhe në drejtime të tjera”, deklaroi ai.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303