SHBA do të hetojë vdekjen e vajzës 7 vjeçare në kufirin e Meksikës

Një hetim është nisur pas vdekjes së një vajze shtatëvjeçare e cila humbi jetën ndërsa ishte në paraburgim të Patrullës Kufitare të SHBA.

Vajza nga Guatemala, e quajtur Jakelin Caal Maquin, u ndalua javën e kaluar pas kalimit të kufirit SHBA-Meksikë me babain e saj, thonë zyrtarët.

Ditën e djeshme u raportua se ajo vdiq nga dehidratimi, por zyrtarët e kufirit këmbëngulin që emigrantët kishin ushqim dhe ujë, ndërsa ishin në paraburgim.

Një vëzhgues i qeverisë do të hetojë ngjarjen para se të bëhet publik një raport përfundimtar.

Vdekja e vajzës e ka kthyer fokusin në politikën e emigracionit të presidentit Donald Trump dhe mbi emigrantët që udhëtojnë nga Amerika Qendrore në kufirin amerikan.

Emigrantët thonë se po ikin nga vendet e tyre për shkak të persekutimit, varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre. Shumë thonë se po synojnë të vendosen në SHBA pavarësisht paralajmërimeve se kushdo që hyn ilegalisht në vend do të përballet me dëbimin.

Lër një koment