SHBA do të vendosë sanksione ndaj disa shteteve nëse importojnë naftë nga Irani

SHBA-IRAN-800x445.jpg

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, pritet t’i njoftojë pesë shtete, duke përfshirë aleatët si Japoninë, Korenë Jugore dhe Turqinë, se nuk do të jenë përjashtim i sanksioneve amerikane nëse vazhdojnë të importojnë naftë nga Irani.

Bazuar në tri burime amerikane të paidentifikuara, Associated Press ka njoftuar  se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, planifikon të njoftojë më 22 prill se presidenti nuk do të vazhdojë masat lehtësuese, të cilat përfundojnë më 2 maj, për pesë shtetet, duke përfshirë Kinën dhe Indinë.

Pompeo ka deklaruar më herët  gjatë këtij muaji se presidenti Trump do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Iranit “në mënyrë që liderët ta ndryshojnë qasjen”.

Eksportet e naftës janë burim i rëndësishëm i të hyrave për Teheranin, ekonomia e të cilit është goditur rëndë pas rikthimit të sanksioneve amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka krijuar një qasje të ashpër ndaj Iranit, që kur është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Përveç rikthimit të të gjitha sanksioneve ndaj këtij shteti, Trump ka bërë të ditur më 8 prill se do të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit, si organizatë terroriste.

Ky hap është konsideruar i pashembullt, meqë asnjëherë më parë një ushtri kombëtare e një shteti, nuk është futur në listën e zezë amerikane./real-news.tv/

scroll to top