fbpx

SHBA, hetim të dhënave tatimore të Trump

Donald-Trump.jpg

Gjykata e Lartë amerikane i hapi rrugën hetimit të të dhënave tatimore të ish-presidentit Donald Trump. Kjo gjykatë i dha të drejtë një prokurori të Nju Jorkut të marrë të dhëna mbi deklaratat tatimore të Trump-it, një vendim ky që shihet si një disfatë me rëndësi për ish-Presidentin.

Deklaratat tatimore të zotit Trump nuk pritet të bëhen publike si pjesë e hetimit penal të prokurorit, por veprimi i Gjykatës së Lartë shihet si një goditje për zotin Trump pasi ai ka luftuar prej kohësh e në shumë fronte për t’i mbajtur ato të fshehta.

Hetimi në vazhdim, pjesë e të cilit janë dhe të dhënat e kërkuara nga prokurori i Nju Jorkut, mund të shndërrohet në një problem për zotin Trump tani që ai nuk është më president.

Zoti Trump e ka quajtur hetimin “vazhdimin e një gjuetie shtrigash, gjuetia më e madhe e shtrigave në histori”.

Gjykata e Lartë priti disa muaj për të vepruar mbi këtë çështje. Argumentimi më i fundit i shkruar lidhur me të, u paraqit më 19 Tetor. Por gjykata, e cila përfshin tre të emëruar nga zoti Trump, priti zhvillimin e zgjedhjeve, sfidat ligjore të zotit Trump mbi humbjen e tij më 3 Nëntor, si dhe një muaj pas largimit të tij nga detyra e presidentit, përpara se të vendoste mbi çështjen.

Hetimi do të përfshijë një periudhë më shumë se tetë vjeçare. Një pjesë e tij lidhet ne dy pagesa bërë dy grave, aktores pornografike Stormy Daniels dhe modeles Karen McDougal, në shkëmbim të heshtjes së tyre gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 në lidhje me pretendimet për marrëdhënie jashtëmartesore me zotin Trump. Por ky i fundit ka mohuar të ketë pasur marrëdhënie me to.

Në korrik, në një vendim 7 me 2, gjykatësit hodhën poshtë argumentin e paraqitur nga avokatët e zotit Trump se presidenti gëzon imunitet nga hetimi ndërsa ai është në detyrë ose që prokurori duhet të dëshmojë një nevojë më të madhe sesa normalja, në mënyrë që t’i vihen në dispozicion të dhëna mbi taksat e tij.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303