SHBA merr masa kundër përhapjes së fruthit

Zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në karantinë qindra punëtorë dhe studentë të lidhur me dy universitete në Los Angeles, pasi pretendohet se janë ekspozuar ndaj sëmundjes së fruthit dhe nuk është verifikuar nëse kanë qenë të vaksinuar.

Personave, që dyshohet se janë prekur nga sëmundja, u është thënë të qëndrojnë vetëm në shtëpi dhe të lajmërojnë autoritetet nëse vënë re ndonjë shenjë të sëmundjes.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se këta persona duhet të qëndrojnë në këto karantina për 48 orë, mirëpo disa prej tyre mund jenë aty edhe për kohë më të gjatë.

Ky hap ka ardhur pasi Shtetet e Bashkuara janë duke u përballur me numrin më të madh të personave të prekur nga kjo sëmundje.

Sipas zyrtarëve, është raportuar për 700 raste të prekura, në kohën kur prindërit janë duke kundërshtuar vaksinimin.

Sëmundja e fruthit konsiderohet e parandalueshme, mirëpo mund të vrasë fëmijët apo të shkaktojë pasoja për gjithë jetën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nisur një paralajmërim më 15 prill, duke thënë se numri i rasteve të prekura në botë me këtë virus gati është katërfishuar në tre muajt e parë të vitit 2019, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë./real-news.tv/