SHBA përgatit akuzën kundër Julian Assange

gettyimages-685314508.jpg

Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke përgatitur akuzat kundër themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, thonë raportet e SHBA.

Është e paqartë se çfarë akuzash do të ngrihen ndaj Assange, por burime pranë Departamentit të Drejtësisë thonë se ai do të akuzohet ndër të tjera, për spiunazh.

Julian Assange, themeluesi i WikiLeaks-it, është pjesë e dosjes penale për çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Departamenti amerikan i Drejtësisë është optimist për ta dërguar sa më shpejt në gjykatë dosjen kundër tij.

Që prej vitit 2012, Julian Assange, po strehohet në ambasadën e Ekuadorit më Londër. Më herët këtë vit atij iu dha nënshtetësia ekuadoriane.

Çështja e WikiLeaks-it doli edhe në hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller që po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Hetimet treguan se WikiLeaks u përdor nga zbulimi rus për të sulmuar sistemet kompjuterike dhe për të shpërndarë materialin e grumbulluar.

Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se Rusia synonte të ndihmonte Donald Trumpin të fitonte zgjedhjet në vitin 2016.

Rusia i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

WikiLeaks publikoi mijëra e-maile të zyrtarëve të Partisë Demokratike, duke ndikuar garën presidenciale midis Donald Trump dhe kandidates Hillary Clinton.

scroll to top