SHBA planifikon të dërgojë trupa ushtarakë në Gjirin Persik?

Disa zyrtarë amerikanë kanë deklaruar në kushte anonimati se Pentagoni do të njoftojë Shtëpinë e Bardhë mbi një kërkesë për dërgimin e mijëra trupave amerikane në Lindjen e Mesme, mes tensioneve në rritje mes Iranit dhe Washingtonit.

Zyrtarët folën me kushtin që të mos publikohet identiteti i tyre, meqë planet nuk janë shpallur ende zyrtarisht.

Zyrtarët thanë se kërkesa për trupa shtesë është bërë nga Komanda Qendrore amerikane dhe do t’i paraqitet Shtëpisë së Bardhë të enjten.

Por, nuk është e qartë nëse Shtëpia e Bardhë do të miratojë dërgimin e të gjitha apo një pjese te forcave mbrojtëse, sikundër edhe raketave “Patriot” dhe më shumë anijeve.

Pentagoni refuzoi të komentojë mbi planet e reja. “Si pjesë e politikës sonë, ne nuk do të diskutojmë apo të spekulojmë mbi planet e mundshme dhe kërkesat për forca shtesë”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Rebecca Rebarich.

Tensionet ndërmjet Teheranit dhe Washingtonit përshkallëzuan që kur presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin se do të përpiqet të ulë në shkallën zero eksportet iraniane të naftës dhe të shtojë praninë ushtarake në zonën e Gjirit Persik në përgjigje të siç ka thënë ai, kërcënimeve iraniane.

Megjithatë, të dyja vendet kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të hyjnë në luftë./real-news.tv/