SHBA sanksione të reja ndaj Kubës

kuba-shba-999d-800x445.jpg

Departamenti amerikan i Thesarit i ka forcuar kufizimet për udhëtimin në Kubë, si hakmarrje ndaj “rolit destabilizues” të këtij vendi në rajonin e Hemisferës Perëndimore.

Departamenti njoftoi përmes një deklarate, se ka ndaluar udhëtimin në Kubë të grupeve edukative të njerëzve, një nga mënyrat kryesore që amerikanët vizitojnë ishullin e Karaibeve. Mijëra amerikanë filluan ta përdorin këtë metodë për të vizituar vendin komunist, edhe para se administrata e ish presidentit Barak Obama të rivendoste marrëdhëniet e plota diplomatike me Kubën në vitin 2014.

Departamenti i Thesarit gjithashtu ndalon udhëtimin në Kubë të avionëve dhe anijeve të korporatave private. Fluturimet komerciale ajrore me sa duket lejohen të vazhdojnë, ku përfshihen udhëtimi i grupeve universitare, të gazetarëve dhe të personave që ndjekin takime profesionale.

Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin tha se masat e reja ndaluese u vendosën për shkak të rolit të Kubës në rajon, përfshirë mbështetjen e saj për presidentin venezuelian, Nicolas Maduro.

“Kuba vazhdon të luajë një rol destabilizues në Hemisferën Perëndimore, duke siguruar një pikëmbështetje komuniste në rajon dhe duke përkrahur kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara në vende si Venezuela dhe Nikaragua, duke nxitur paqëndrueshmëri, duke minuar sundimin e ligjit dhe duke shtypur proceset demokratike”-tha Munchin.

Udhëtimet nga SHBA-ja deri në Kubë filluan në maj të vitit 2016 gjatë mandatit të Barak Obamës i cili tentoi t’i ripërtërijë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe prej atëherë mbi 142.000 amerikanë e kanë vizituar ishullin.

Këshilltari për siguri kombëtar Xhon Bolton që në nëntor paralajmëroi sanksione të reja për Havanan, ndërsa ndalesën e udhëtimeve e konsideron si heqje të burimit të të ardhurave për qeverinë kubaneze.

“Do të vazhdojmë të ndërmarrim aksione që ta kufizojmë qasjen e regjimit kubanez deri tek dollari amerikan”, theksoi Bolton në Twitter./real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303