Shefja e OSBE-ODIHR takim kokë më kokë me Zgurin, zbulohen porositë

Një ditë përpara se të largohet nga Shqipëria, shefja e grupit të vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it, Audrey Glover është takuar me kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Klement Zgurin.

Burime bëjnë me dije se Glover ka kërkuar takim tek a tek me Zgurin pa praninë as të anëtarëve të tjerë të grupit të vëzhuesve si dhe anëtarëve të KQZ-së.

Tema të bisedës në këtë takim është panorama përfundimtare e procesit zgjedhor të 30 Qershorit si dhe problematikat e hasura në këtë proces.

Mësohet gjithashtu se takimi është zhvilluar në zyrën e kreut të KQZ-së.

Kujtojmë se Glover ditët e fundit është takuar edhe me drejtuesit e opozitës, konkretisht Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, ku kjo e fundit ditën e djeshme i ka dorëzuar edhe një dosje me problemet e evidentuara gjatë procesit zgjedhor.

Pas dy muajsh, ODHIR pritet të publikojë raportin përfundimtar për lokalet e 2019-s, në të cilat opozita nuk mori pjesë, pas vendimit për djegien e mandateve dhe protestave të shumta që prej 16 shkurtit të këtij viti, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.