Shembja e banesave në Shkozë, reagon Bumçi: Kjo është kafshëri…

Situata në Shkozë vazhdon të jetë e tensionuar, teksa ka nisur shembja e banesës së tretë të planifikuar nga IKMT.

Ish-deputeti i PD, Aldo Bumçi, thotë se ajo që po ndodh me banesat atje është një kafshëri. Nga Shkoza, ku opozita është në mbështetje të banorëve, Bumçi thotë se kjo qeveri nuk ka lidhje me Europën.

Ish-deputeti shtoi se qeveria nuk mund t’i nxjerrë jashtë banorët pa i dëmshpërblyer.

“Kjo që po ndodh bëhet vetëm në diktaturë” tha Bumçi.

“Kemi 3 shtëpi që kanë legalizim dhe dy të tjerë nuk kanë. Legalizimin e bën shteti, po të prishi shtëpinë do të japë ose shtëpi ose lekë.

Banorët kërkojnë minimalen, të kenë mundësi të fusin kokën diku tjetër. Në asnjë vend të botës nuk nxirret qytetari në mes të katër rrugëve. Kjo sjellje e kësaj qeverie çfarë lidhje ka me Evropën? Kjo është një kafshëri. Ky njeri jep 20 mln euro për 1 km rrugë dhe nuk dëmshpërblen. Nuk mund të prishet shtëpia pa dhënë lekë.

Ky njeri nuk pyet për pronën, për të drejtën themelore. Është kjo kafshëri në mes të Evropës. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend. Duhet të ngrihemi, të shkojmë para kryeministrisë dhe ta largojmë që aty.

Ka qenë kryeministër, Fatos Nano, Majko, Meta dhe nuk janë prishur shtëpi. Kjo është diktaturë!”, ka përfunduar Bumçi.