fbpx

Shembja e godinave/ Basha: Është kriminale, po prishen provat materiale

dbebc01f-69ee-42ab-a37f-9b331452aa74-770x433-1.jpg

Kreu i opozitës Lulzim Basha, është shprehur se shembja e shpejtë e objekteve të dëmtuara nga tërmeti përbën prishje të provave materiale dhe ky sipas tij është një veprim kriminal.

Pyetur në lidhje me banesat e shembura dhe faktin që janë prishur bashkë me orenditë dhe dokumentat që kanë patur brenda, Basha tha se bazuar në mendimin e inxhinierëve, shembja e shpejtë e objekteve është kriminale. Ai nënvizoi faktin se për 51 viktimat e tërmetit duhet hetuar që nëse ka përgjegjës ata të mbajnë përgjegjësi por shkatërrimi i banesave pa u inspektuar nga prokuroria përbën prishje të provave sipas tij.

Unë nuk kam koment në kuptimin politik të fjalës, por dua t’ju them çfarë më thanë inxhinierët dhe ekspertët para dy netësh. Shembja e shpejtë e objekteve është kriminale.

“E para e punës duhet studiuar për të parë çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe këtë e bën çdo vend që kalon një tragjedi të tillë për të përdorur fjalën e një prej profesorëve të nderuar aty që dukej që kishte respektin e të gjithë kolegëve – betoni flet. Mënyra se si është shkatërruar një ndërtesë tregon gjithçka që nga zbatimi i projektit deri tek kodet e ndërtimit, përmirësimet që duhen bërë.

Për të mësuar që në të ardhmen, larg qoftë, të mos na përsëriten gjëra të tilla, gjëja e parë që duhet bërë, është se duhet studiuar çdo objekt përpara se të shembet. Çdo objekt përbën sot e tutje provë materiale për hetime penale.

Ka përgjegjësi kjo punë. Janë 51 njerëz të futur në dhe’ dhe qindra të tjerë të plagosur dhe mijëra të traumatizuar.

Kjo nuk do të shkojë pa përgjegjësi. Përbën provë materiale.

E treta, mund të bëhet një përpjekje minimale pa rrezikuar njerëzit, për të nxjerrë orenditë.”, tha Basha.

Kreu demokrat u shpreh i revoltuar për gjendjen e banorëve në Ishëm, Manzë dhe Sukth.

“Kam katër orë në këtë zonë që është totalisht e harruar. Dua t’ju falënderoj që keni ardhur deri këtu. Nëse keni mundësi dua t’ju ftoj të shkoni deri në Ishëm. Sot kam qenë në Gjuriçaj të Ishmit, pastaj në Kërtushaj, kam qenë në Kameras, kam qenë në Armath, në qendër të Manzës. Kam parë me sytë e mi dëme të jashtëzakonshme në shtëpitë e banorëve. Në zonën e Gjuriçajt 9 në 10 shtëpi janë jashtë funksionit, nuk jetohet. Natyrisht, me aq sa kemi mundur, me aparatin fotografik kam arritur të evidentoj dhe të nxjerr në faqen time të “Facebook”-ut disa prej dëmeve.

Ju ftoj ju duke ju falënderuar për punën e jashtëzakonshme që po bëni, të shkoni dhe të evidentoni. Dëmet janë kudo por në këtë zonë ka një harresë totale. Nuk ka shkuar askush ti shohë dhe t’i japë një sqarim nëse mund të rrinë apo nuk mund të rrinë aty. Në shumicën e rasteve nuk kanë as çadra dhe në ato raste kur u është dhënë një çadër, kanë qenë bashkëfshatarët e tyre që i kanë sjellë nga Italia apo një organizatë nga Kosova që u kishte çuar çadra. Pra, harresë dhe lënie totale në mëshirë të fatit e qindra familjeve, mijëra banorëve. Kjo është gjendje shumë e rëndë. Kjo është gjendje emergjence totale.

E dyta, në kampin e çadrave që është ngritur në Manëz, është një batërdi e vërtetë, balta ka shkuar deri në gju, brenda ka nga foshnje një muajshe dhe fëmijë një apo dy vjeç, deri tek pleq 70, 80,90 vjeç të sëmurë.

Ka dy objekte shkollore, të cilat me sa më tha, janë certifikuar jashtë rrezikut dhe nuk ka asnjë arsye pse familjet të qëndrojnë në llucë. Janë familjet e 5 pallateve që u është vënë kryqi, janë 5 pallate të dëmtuar nga tërmeti dhe janë jashtë, nata e 6-të në shi. Madje, kur ndodheshim aty, filloi prapë shiu që e bën ftohtin edhe më të papërballueshëm. Nuk ka pse të jenë aty. Të merren dhe të çohen në shkolla ose propozimi tjetër që ka ardhur, po kështu nga propozimi i ekspertëve, të vendosen në kontinierë. Por nuk mund të qëndrojnë në çadra. Prej ditës së dytë të emergjencës kam bërë thirrje që askush të mos qëndrojë në çadra. Një numër është sistemuar ose tek të afërmit ose në strehime të tjera. Por ndërkohë ja ku i ke të gjitha familjet e 5 pallateve në llucë, në baltë. Kjo është situata.

Situatë shumë e rëndë. Ankohen për seleksionim, që dikush nuk merr asgjë dhe dikush tjetër ka marrë shumë më shumë sesa ka nevojë. Ankohen ata që mund të kenë më pak nevojë, më pak dëme. Unë nuk jam në gjendje t’i verifikoj, por ankesat janë masive. Dhe këto po jua them, pasi, mesa duket, kam qenë atje para jush.

Ju ftoj edhe ju të shkoni atje. S’ka asnjë organizim, s’ka asnjë prani. Tani më thanë që kanë marrë vesh që ka qenë kryetari i opozitës dhe kanë nisur disa makina. Por kjo nuk është mënyra për të punuar. Nuk duhet të presin të vij unë këtu dhe të duken për show.

Jam i revoltuar dhe shumë i shqetësuar për situatën që kam parë në Ishëm, në Manëz dhe, natyrisht, edhe dje kur kam qenë në Bubq dhe në Durrës, në lagjen 7, duket se ka një paralizë totale.”, shtoi Basha.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303