Shifra apokaliptike, 78% e mjekëve duan të braktisin Shqipërinë

mjek-780x439.jpg

Foto ilustruese

Rreth 78% e mjekëve do të largoheshin nga Shqipëria nëse do të kishin mundësi.

Alarmi është dhënë nga  shoqata “Together for life”, nga studimi i së cilës rezulton se Gjermania mbetet shteti më i preferuar. Madje tashmë atje 521 mjekë shqiptarë ushtrojnë profesionin.

Më shumë se një e treta e mjekëve shqiptarë mendojnë që të ushtrojnë profesionin e tyre në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Tashmë 521 prej bluzave të bardha kanë lënë vendin, duke u angazhuar në spitalet e Gjermanisë.

Në studimin e publikuar nga shoqata “Together for life” bëhet e ditur se shifrat u përkasin vetëm mjekëve të licensuar, duke përjashtuar këtu infermierët që janë në një numër edhe më të madh.

Konstatohet po ashtu se 40 për qind e mjekëve me gradë shkencore e konsiderojnë të rëndësishëm emigrimin.

Arlinda Gjupi, përfaqësuese e “Together for life”: Na rezulton që 54% e mjekëve që punojnë në spitalet universitare janë gati të largohen menjëherë. 30% e mjekëve që punojnë në spitalet private janë gati të largohen dhe 35% e mjekëve që punojnë në qendrat e specialiteteve janë gati të largohen menjëherë.

Shkaqet që nxisin largimin mbeten po të njëjtat, nga ato profesionale e përfundojnë tek arsyet ekonomike.

Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë: Problemi është çfarë mund të bëjë Shqipëria dhe pse ka filluar ky fenomen? Nuk mendoj që në radhë të parë janë shkaqet financiare sic ju ka dalë juve. Presioni nga familjarët, njollosja e emrit të mjekut.

Migrimi i mjekëve është një fenomen ndërkombëtar, por në Shqipëri largimi i specialistëve ka shkaktuar mungesa të theksuara në sistem, pasojat e të cilëve i vuajnë pacientët.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303