Shifra e çmendur, ushtria e Enver Hoxhës vlente 130 miliard dollarë

Ndërtimi i infrastrukturës gjigante të sistemit mbrojtës nga ana e regjimit komunist kishte edhe koston e tij të jashtëzakonshme. Ngritja e këtij sistemi ushtarak me përmasa tejet të mëdha për një vend të vogël si Shqipëria mund të ketë çuditur shumëkënd. Por, për shumë se kjo, ajo që është tronditëse, është vlera që kishte ushtria shqiptare.

Sipas kolonel Pëllumb Zaimi, ish-punonjës shkencor dhe ish-pedagog në Akademinë Ushtarake ushtria shqiptare arrinte në 130 miliard dollarë asete, ndërsa populli vuante për bukën e gojës. Por, paranoja nga armiku i jashtëm bënte që diktatori Enver Hoxha të ndërtonte një sistem të tillë ushtarak edhe pse populli i tij ishte zhytur në varfëri.

Ushtria shqiptare përgjatë sistemit komunist deri në vitet ’90 ka pasur një arsenal të jashtëzakonshëm, armësh, municioni, karburanti, ushqime e veshmbathje. Nëse këto do të shiteshin sipas rregullave, buxheti i shtetit do të furnizohej çdo vit me disa qindra milionë dollarë.

Vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kapte shifrën e 65 miliard dollarëve.

Uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë.

Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh. Mjekësi prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Aviacioni

Ushtria shqiptare ka pasur 196 avionë dhe helikopterë, dhe po të shtojmë këtu 40 avionë AN-2, 3-avionë qeveritarë IL-14 shkojnë 240. Flota ajrore numëron 125 avionë MIG të tipave të ndryshme që varionin nga 15-25 milion dollarë për ekzemplarë. Mesatarja kap vlerën e 4 (katër) miliard dollarëve.

Mjetet e blinduara

Në ushtri numëroheshin 1200 tanke e transportues të blinduar. Një tank kapte shifrën e 600-800 mijë dollarëve sipas tipave. Mesatarisht kap vlerën 1 (një) miliard dollarë.

Artileria kundërajrore

Në artilerinë kundërajrore numëroheshin të paktën 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 e 150 mm. Ndërkohë në këtë artileri futeshin edhe katjushat ML-130, 12 dhe 19 grykëshe. Marr parasysh se topat obuz më të thjeshtë, ata 122 kanë pasur në një vlerë prej 70 mijë USD. Në artilerinë kundërajrore futen edhe grupet e raketave SAM-2 tokë-ajër. Ushtria shqiptare dispononte rreth 200 të tilla.

Forcat Detare

Forcat Detare numëronin të paktën 100 copë anije të tipave të ndryshme, nga të cilat 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj, 6 gjuajtës të vegjël, 2 dragamina të mëdha, 6 dragamina të vogla, rreth 60 katra silurues etj. Por ka pasur dhe një armatim prej 400-500 copë silura me vlerë rreth 1500 dollarë copa, (700 mijë dollarë) dhe mbi 2000 mina detare me vlerë mbi 1000 dollarë copa (2 milion dollarë).

Uzinat ushtarake

Uzina e Tankeve dhe e Artilerisë në Tiranë, e baterive në Berat, e armatimit në Gramsh, e municionit në Poliçan, e lëndëve plasëse në Mjekës, (që ishte 100 % me teknologji suedeze), ishin gjithashtu uzina e riparimit të avionëve në Kuçovë, uzina e lokacionit, KRAF-i i Pasha Limanit, për remontin e anijeve mbiujëse dhe nëndetëseve. Këtu nuk po përmend një seri mini-uzinash në të gjithë territorin e republikës ku bëhej remont i pjesshëm i mjeteve luftarake. Këto uzina kishin teknologji moderne, përgjithësisht kineze por dhe franceze e suedeze që ishin fjala e fundit për kohën. Vlera monetarë është vështirë të nxirret pa dokumentet përkatës.

Ndihmat nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina

“Natyrisht unë nuk mund të flas dot për gjëra që nuk i di, por mund të jap vetëm një shifër të parë në një dokument sekret. Në atë dokument flitej për një ndihmë prej 17 miliard dollarësh të dhënë nga Kina në vitet 1974-1976, e gjitha në pajisje ushtarake”, thotë kolonel Pëllumb Zaimi në një intervistë të dhënë më parë për mediat shqiptare.

Ndërtimi i fortifikimeve

Pëllumb Zaimi thotë se në Shqipëri u ndërtuan 175 mijë qendra zjarri, ku çdo njëra prej tyre kishte një vlerë prej 7500 lekë të reja, me përjashtim të atyre më të mëdha. “Por ndërtuan dhe shumë kilometra tunele nëntokësore bazat e strehimit të avionëve dhe dy kryeveprat arkitektonike që ishin Baza Ajrore e Gjadrit dhe Baza Detare e Porto-Palermos. Gjithashtu janë ndërtuar dhe komandat e batalioneve, brigadave e më tej. Këto objekte janë ndërtuar me punën e oficerëve dhe ushtarëve. Më kujtohet që kur isha oficer i ri, komandanti i batalionit Destan Shira ngriti me ushtarët e oficerët, por duke qenë vet në krye të punëve, komandën e batalionit dhe ndërtesat e kompanive me një hapësirë prej 800 metra katrorë. Gjithçka me forcat e repartit e duke thyer gurë në mal. Duhet kuptuar se për kohën fortifikimi ishte i nevojshëm. Nuk ishim të vetmit që merrnim masa të tilla. Për shkak të Luftës së Ftohtë, Norvegjia hapi mbi 11 mijë/km tunele fotifikuese, Zvicra 16 mijë/km, Franca 8 mijë/km ndërsa vetëm Moska gjithashtu 8 mijë/km tunele që shërbenin për komandën e Përgjithshme Sovjetike”.

Sipas kolonel Pëllumb Zaimit, në vitin 1997 u shpërdoruan të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante që ishin pasuri e ushtrisë dhe e vetë popullit shqiptar.